Turqia

Avioni që udhëtonte drejt Tripolit dhe mbante shefin e ushtrisë libiane “humbet kontaktin” pranë Ankarasë

Ministri turk i brendshëm tha se avioni që mbante shefin e shtabit të përgjithshëm të Libisë dhe katër të tjerë humbi kontaktin pranë Ankarasë pas sinjalit të uljes emergjente

Merve Berker  | 23.12.2025 - Përdıtësım : 23.12.2025
Avioni që udhëtonte drejt Tripolit dhe mbante shefin e ushtrisë libiane “humbet kontaktin” pranë Ankarasë Foto: Enes Yıldırım/AA

Ankara

Ministri turk i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, ka njoftuar se menjëherë pas nisjes nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë është humbur kontakti me një avion privat që udhëtonte drejt Libisë që transportonte shefin e ushtrisë libiane, transmeton Anadolu.

Avioni i biznesit i tipit Falcon 50, me numër regjistrimi 9H-DFJ, u nis në orën 20:10 me kohën lokale (17:10 GMT) me destinacion Tripolin.

Në platformën turke të mediave sociale NSosyal, ministri Yerlikaya njoftoi se komunikimi u ndërpre rreth orës 20:52 me kohën lokale (17:52 GMT).

Yerlikaya theksoi se avioni ka transmetuar një njoftim për ulje emergjente pranë qarkut Haymana, në jug të kryeqytetit turk Ankara.

“Megjithatë, pas sinjalit fillestar të emergjencës nuk u arrit të vendosej asnjë kontakt i mëtejshëm me avionin”, theksoi ai.

Sipas zyrtarit, në bord ndodheshin pesë pasagjerë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Libisë, gjeneralin Muhammad Ali Ahmed AL-Haddad.

Ministri turk shtoi se autoritetet kanë nisur përpjekjet për të lokalizuar avionin dhe do të ofrojnë përditësime sapo të ketë zhvillime të reja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.