Turqia

Arkeologia promovon jashtë vendit shtëpitë prej qerpiçi të fshatit të të parëve të saj

Arkeologia 58-vjeçare Dr. Bilgehan Köhler po punon për t'ia prezantuar botës shtëpitë historike prej qerpiçi në fshatin e saj në Kayseri të Turqisë

Ergün Haktanıyan  | 20.09.2025 - Përdıtësım : 20.09.2025
Arkeologia promovon jashtë vendit shtëpitë prej qerpiçi të fshatit të të parëve të saj Foto: Ergün Haktanıyan/AA

Kayseri

E rritur në Gjermani, arkeologia 58-vjeçare Dr. Bilgehan Köhler po punon për t'ia prezantuar botës shtëpitë historike prej qerpiçi në fshatin e saj në Kayseri të Turqisë përmes "Projektit të Kulturës Zile dhe Projekti Qerpiçi", raporton Anadolu.

Köhler lindi në Köln si vajza e një nëne mësuese dhe një babai biznesmen që shkuan 58 vite më parë në Gjermani nga lagjja periferike Zile në qytezën Develi, e cila dikur ishte një fshat, në qytetin turk Kayseri. Aktualisht Köhler po ndjek karrierën e saj akademike jashtë vendit.

Köhler, nuk e ka lënë kurrë fshatin e të parëve të saj dhe ajo kthehet në qytetin e saj të lindjes në çdo rast. Arkeologia jo vetëm që ka restauruar shumë shtëpi në lagje përmes "Projektit të Kulturës Zile dhe Projekti Qerpiçi", por gjithashtu ka kontribuar në përcaktimin e Ziles si zonë e mbrojtur.

Arkeologia Köhler, përpiqet të ruajë gati 100 shtëpi prej qerpiçi në Zile dhe t'ua kalojë ato brezave të ardhshëm, ndërsa regjistron informacionin historik që ka zbuluar dhe kryen kërkime mbi to në arkivat e saj. Krahas seminareve që mban në universitete si Bauhaus në Gjermani, Cuny në SHBA dhe ETH Zürich në Zvicër, ajo gjen mundësinë që t'i shpjegojë ato përmes tezave dhe artikujve të saj.

Për Anadolu Köhler u shpreh se dëshiron të kontribuojë në promovimin e shtëpive prej qerpiçi të qytetit të saj.

Köhler shpjegoi se fshati ku kaloi fëmijërinë ishte një trashëgimi familjare dhe se asaj i kanë mbetur trashëgimi shtëpi prej qerpiçi. Ajo gjithashtu vuri në dukje se Zile, e vendosur në një rrugë tregtare, mbante një vend të rëndësishëm në historinë botërore.

Edhe rruga e Hititëve dhe madje edhe e Romakëve ka kaluar dikur nëpër Zile, tha Köhler, e cila vuri në dukje se Nevşehirli Damat İbrahim Pasha krijoi një fondacion në Zile dhe ndërtoi karavansaraje dhe hane.

Köhler deklaroi se shtëpitë prej qerpiçi në fshat duhet të përdoren për turizëm dhe se ajo po lufton për këtë.

Köhler tha se vazhdon kërkimin e saj mbi shtëpitë prej qerpiçi në shumë fusha, nga dritaret dhe dyert e tyre, te dizajni dhe druri që përdorin, si dhe nga balta e deri te mjeshtrit e tyre, duke theksuar rëndësinë e tyre për historinë botërore.

Duke theksuar rëndësinë e shtëpive prej qerpiçi, Köhler tha: "Gjithmonë përpjekjet bëhen për ndërtimin e shtëpive prej guri, por qerpiçi është materiali i së ardhmes. Unë punoj me universitete në Perëndim. Ka shoqata në Zvicër që e mbështesin këtë. Qerpiçi përdoret në dizajn dhe izolim në shtëpi si një 'material i ri'. Zile u bë zonë e mbrojtur në vitin 2024. Po atë vit, ne mbajtëm një kongres mbi qerpiçin. Ne po i restaurojmë shtëpitë. Ne po e ndryshojmë historinë e këtij vendi me qerpiç".

Ndër të tjera Köhler shpjegoi se ata kanë organizuar punëtori dhe seminare për qerpiçin në universitete në SHBA, Zvicër dhe Gjermani, dhe se ata kanë tërhequr vëmendjen e shumë shkencëtarëve në këto vende me tezat dhe artikujt e tyre. Ajo shpjegoi se në Turqi po punojnë gjithashtu në projekte të përbashkëta me akademikë në Universitetet Erciyes dhe Nuh Naci Yazgan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.