Anija turke "Oruç Reis" kalon nga Ngushtica e Çanakalasë pas përfundimit të misionit në Somali
Anija "Oruç Reis" u nis nga porti turk Filyos më 4 tetor të vitit të kaluar dhe mblodhi të dhëna sizmike tredimensionale në një sipërfaqe prej 4.464 kilometrash katrorë gjatë misionit të saj të parë ndërkontinental në Somali

Çanakkale
Pasi përfundoi me sukses misionin e saj të parë ndërkontinental në Somali, anija kërkimore sizmike "Oruç Reis" u kthye në Atdheun Blu (ujërat turke) dhe kaloi nëpër Ngushticën e Çanakalasë, e njohur ndryshe si Ngushtica e Dardaneleve, raporton Anadolu.
Anija "Oruç Reis" u nis nga porti turk Filyos më 4 tetor të vitit të kaluar dhe mblodhi të dhëna sizmike tredimensionale në një sipërfaqe prej 4.464 kilometrash katrorë në 3 blloqe të ndara detare gjatë misionit të saj të parë ndërkontinental në Somali.
Duke hyrë në Ngushticën e Dardaneleve nga jugu në orën 08:30, "Oruç Reis" gjatë lundrimit të saj u shoqërua nga anijet mbështetëse "Zağanos Paşa", "Sancar" dhe anija gjurmuese "Ataman" si dhe nga fregatat e marinës TCG Gediz dhe TCG Turgutreis.
Anija "Oruç Reis" kaloi së pari memorialin e dëshmorëve në Gadishullin e Galipolit, pastaj tabelën "Ndalo udhëtar" në fshatin Kilitbahir dhe u drejtua drejt veriut.
Pasi të kalojë urën "Çanakkale 1915", anija "Oruç Reis" do të vazhdojë lundrimin në Detin e Marmarasë dhe është planifikuar të arrijë në Bosfor nesër në mëngjes dhe të ankorohet në portin Filyos më 4 korrik.