Anija turke e shpimit "Abdülhamid Han" do të fillojë misionin e saj të ri në Detin e Zi
Anija e shpimit "Abdülhamid Han" ka përfunduar gjithsej nëntë operacione shpimi në Mesdhe dhe Detin e Zi që nga vënia në punë në gusht 2022

Ankara
GÜLŞEN ÇAĞATAY
Anija e katërt e shpimit e Turqisë "Abdülhamid Han", do të fillojë operacionet në pusin Türkali-33 në Detin e Zi, raporton Anadolu.
Sipas informacionit që ka siguruar gazetari i AA-së, anija e shpimit "Abdülhamid Han" ka përfunduar gjithsej nëntë operacione shpimi në Mesdhe dhe Detin e Zi që nga vënia në punë në gusht 2022.
"Abdülhamid Han", misionin e saj të parë e kreu në pusin "Yörükler-1" në Mesdhe, më pas filloi operacionet në pusin "Göktepe-3" në Detin e Zi në gusht 2024 dhe i përfundoi ato më 19 maj 2025.
Zbulimi prej 75 miliardë metrash kub gaz, i njoftuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në maj, u bë nga "Abdülhamid Han", një nga anijet e përparuara të shpimit të Turqisë, në një thellësi prej afërsisht 3.500 metrash.
Pusi "Göktepe-3" ku u bë zbulimi, ndodhet në fushën Göktepe, 69 kilometra në perëndim të Fushës së Gazit Sakarya dhe 165 kilometra nga toka.
Që nga hyrja në shërbim e deri më tani "Abdülhamid Han" ka kryer gjithsej nëntë operacione shpimi në Mesdhe dhe Detin e Zi dhe së shpejti do të fillojë misionin e saj ri në pusin "Türkali-33" në fushën e gazit Sakarya.
Politika e vendosur energjetike e Turqisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar vazhdon të zgjerojë ndikimin e saj strategjik në Detin e Zi, Mesdheun Lindor dhe Afrikën Lindore. Në këtë kuadër janë planifikuar bashkëpunime për eksplorimin e naftës dhe gazit në tokë dhe në det të hapur në rajone të afërta si Somalia, Pakistani, Azerbajxhani, Hungaria, Iraku dhe Libia.
Aktualisht Turqia ka katër anije shpimi, dy anije kërkimore sizmike dhe një platformë lundruese për prodhimin e gazit, ndërsa me shtimin e dy anijeve të reja të shpimit në flotën e saj të energjisë ajo synon të përmirësojë më tej aktivitetet e saj të eksplorimit dhe shpimit të naftës dhe gazit natyror në det të hapur në ujëra të thella.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.