Anija e gjashtë e shpimit në ujëra të thella e Turqisë do të operojë në Detin e Zi
Shtimi i kësaj anije në flotën kombëtare forcon kapacitetin e vendit për eksplorim në ujëra të thella, kryesisht në Detin e Zi, si pjesë e një strategjie kombëtare për pavarësi energjetike
Deti i Zi
Ministria e Energjisë dhe Burimeve Natyrore e Turqisë ka njoftuar se vendi është bërë operatori i katërt më i madh i flotës së energjisë në botë pas mbërritjes së anijes së gjashtë të shpimit në ujërat e thella, raporton Anadolu.
Sipas ministrisë, shtimi i kësaj anije në flotën kombëtare forcon kapacitetin e vendit për eksplorim në ujëra të thella, kryesisht në Detin e Zi, si pjesë e një strategjie kombëtare për pavarësi energjetike.
Anija e sapoardhur, e dyta nga dy anijet binjake të shpimit të shtuara së fundmi në flotën kombëtare, ka arritur në ujërat turke.
Sipas ministrisë, flota kombëtare tani ka gjashtë anije shpimi dhe dy anije kërkimore sizmike.
Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, tha se më 2 dhjetor, se anija e re e shpimit në ujëra ultra të thella e Turqisë u ankorua në provincën jugore Mersin përpara operacioneve në Mesdhe
Ministri Bayraktar në platformën turke të mediave sociale NSosyal tha se anija e parë nga dy anijet e reja të shpimit në flotën e Turqisë ka mbërritur në portin Tasucu.
Ai shtoi se anija e gjeneratës së shtatë, e aftë të kryejë eksplorime deri në 12 mijë metra, do të përdoret në operacionet e Turqisë në Mesdhe.
“Anija jonë e dytë e shpimit gjithashtu do të mbërrijë në Turqi deri në fund të vitit. Kjo do ta bëjë Turqinë vendin me flotën e katërt më të madhe të shpimit në det të thellë në botë”, tha ai.
Ministri turk tha se ky zhvillim kyç tregon përparim drejt arritjes së pavarësisë së plotë energjetike.
E ndërtuar në Korenë e Jugut në vitin 2024, anija është 228 metra e gjatë dhe 42 metra e gjerë, e pajisur me helipad dhe kabina për 200 anëtarë ekuipazhi.
Flota e Turqisë gjithashtu përfshin anijet e shpimit Fatih, Yavuz, Kanuni dhe Abdulhamid Han, të cilat operojnë në fushën e gazit Sakarya në Detin e Zi.
Anija sizmike Oruc Reis u kthye së fundmi nga misioni i saj i parë ndërkontinental në Somali dhe po përgatitet për një detyrë të re në Portin Filyos në provincën Zonguldak të Detit të Zi, ndërsa anija sizmike Barbaros Hayrettin Pasha është gjithashtu aktive në Detin e Zi.
Flota përfshin gjithashtu 11 anije mbështetëse, një anije ndërtimi dhe një platformë të lundrueshme prodhimi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
