Turqia

Ambasadori britanik: Turqia ka zbatuar rreptësisht masat për sigurinë e turistëve

"Shpresoj që Turqia do vazhdojë të jetë vendi më i preferuar për pushime i turistëve britanikë", tha ambasadori i Britanisë në Ankara, Dominick Chilcott

Zuhal Demirci  | 08.07.2020 - Përdıtësım : 09.07.2020
Ambasadori britanik: Turqia ka zbatuar rreptësisht masat për sigurinë e turistëve

Ankara

ZUHAL DEMİRCİ 

Ambasadori i Britanisë në Ankara, Dominick Chilcott, ka theksuar që gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) ka vëzhguar se Turqia ka zbatuar shumë rreptësisht masat që ka ndërmarrë në aeroporte dhe hotele për sigurinë e turistëve.

Ai tha se "Shpresoj që Turqia do të vazhdojë të jetë vendi më i preferuar për pushime i turistëve britanikë".

Chilcott për Anadolu Agency (AA) ka bërë vlerësime rreth masave për "turizmin e sigurt" që ka ndërmarrë Turqia dhe në lidhje me pikëpamjet e tij nga aktiviteti prezantues "Rieksploro" të mbajtur me 19 qershor në Antalya që ambasadori ka marrë vetë pjesë dhe në të cilin janë shpjeguar shërbimet për turizmin që Turqia do të ofrojë në luftën kundër kroonavirusit dhe në procesin e normalizimit.

Pasi ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen bashkë me gruan e tij Jane Lady Chilcott në aktivitetin e mbajtur në Antalya, ambasadori Chilcott tha se qëllimi i aktivitetit ishte për të informuar ambasadorët rreth masave të marra nga Turqia në aeroporte dhe për të parandaluar përhapjen e COVID-19 në vendet turistike.

"Vizita ishte jashtëzakonisht e dobishme. Me të vërtetë është e vlerësueshme të shikosh vetë personalisht masat e ndërmarra nga autoritetet për të siguruar që udhëtimi në Turqi të jetë i sigurt", tha Chilcott.

Duke theksuar se në kuadër të aktivitetit ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, ka kryer një prezantim në lidhje me "Programin e Certifikuar të Turizmit të Sigurt", Chilcott bëri të ditur se Ersoy ka shpjeguar me detaje 130 kritere që ministria dhe organet qeveritare përkatëse kanë vendosur për të siguruar standardet e higjienës dhe shëndetit.

"Më bëri përshtypje kur pashë se sa rreptësisht zbatoheshin rregullat në aeroporte dhe hotele për të garantuar sigurinë e turistëve", tha Chilcott. 

"Shpresoj që do të vazhdojë rritja në numrin e turistëve britanikë"

Chilcott njoftoi se qeveria britanike javën e kaluar ka bërë disa ndryshime në vendimet e saj për udhëtimet ndërkombëtare.

"Duke marrë në konsideratë suksesin që Turqia ka treguar për të mbajtur nën kontroll deri më sot virusin dhe pasi shikuam se sa me kujdes zbatohet 'Programi i Certifikuar i Turizmit të Sigurt', ne hoqëm rekomandimin tonë për të mos udhëtuar drejt Turqisë. Tashmë ne nuk do të zbatojmë karantinimin 14-ditor për personat që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar nga Turqia. Është një e vërtetë që këtë verë turizmi do të ndikohet negativisht nga COVID-19, por pas këtij vendimi të marrë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, unë shpresoj se Turqia do vazhdojë të jetë vendi më i preferuar për pushime i turistëve britanikë", deklaroi ai.

Pasi nënvizoi se në dy vitet e fundit ka një rritje të mprehtë në numrin e turistëve britanikë që kanë ardhur në Turqi, Chilcott informoi se në vitin 2018 në Turqi kanë ardhur 2,3 milionë turistë britanikë, ndërsa në vitin e kaluar mbi 2,5 milionë.

Ai tha se shpreson që kjo rritje të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

"Edhe unë në javët e ardhshme do të kryej vizita në vijën bregdetare për t’u takuar dhe për t’i shprehur personalisht falënderimet e mia prefektëve, drejtorëve të policive dhe autoriteteve lokale për përpjekjet që ata kanë treguar mbi sigurinë për turistët britanikë gjatë vizitës së tyre në Turqi", shtoi ai.

Ambasadorët dhe gazetarët e huaj u takuan në Antalya për "turizmin e sigurt"

Rreth 50 ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike dhe shumë gazetarë të huaj me detyrë në Turqi, morën pjesë në aktivitetin prezantues "Rieksploro" që u mbajt në Antalya dhe në të cilin u shpjeguan shërbimet për turizmin që Turqia do të ofrojë në procesin e normalizimit në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili mbajti një konferencë për shtyp në kuadër të aktivitetit të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit, tha se ata po punojnë që të gjithë turistët që vijnë në Turqi të kalojnë pushimet nën kushte të sigurta dhe higjienike dhe të kthehen të sigurtë në vendet e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.