Turqia

Aeroporti i Istanbulit bëhet më i ngarkuari në Evropë

Aeroporti i Istanbulit u rendit i pari midis aeroporteve më të ngarkuara në Evropë me një mesatare prej 1.482 fluturimesh ditore në periudhën 21-27 prill

Mücahithan Avcıoğlu  | 30.04.2025 - Përdıtësım : 01.05.2025
Aeroporti i Istanbulit bëhet më i ngarkuari në Evropë

Istanbul

Aeroporti i Istanbulit ka qenë më i ngarkuari midis aeroporteve në Evropë gjatë periudhës nga 21 prilli deri më 27 prill, sipas të dhënave të publikuara sot nga Organizata Evropiane për Sigurinë e Navigimit Ajror (EUROCONTROL), transmeton Anadolu.

Aeroporti i Istanbulit u rendit i pari midis aeroporteve më të ngarkuara në Evropë me një mesatare prej 1.482 fluturimesh ditore në këtë periudhë, sipas Raportit mbi Pasqyrën e Aviacionit Evropian.

Fluturimet në Aeroportin e Istanbulit janë rritur me 4 për qind nga viti në vit dhe me 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Aeroporti i Istanbulit u pasua nga Aeroporti "Schiphol" i Amsterdamit me 1.419 fluturime ditore, "Heathrow" i Londrës me 1.357 fluturime, "Charles De Gaulle" i Parisit me 1.344 fluturime dhe Aeroporti i Frankfurtit me 1.314 fluturime.

Më 17 prill, Aeroporti i Istanbulit, i cili ishte aeroporti i dytë më i ngarkuar i Evropës vitin e kaluar, filloi operacionet e njëkohshme me tri pista.

Me këtë infrastrukturë, ai u bë i pari në Evropë me tri pista të njëkohshme dhe i dyti në botë pas SHBA-së.

Aeroporti i Istanbulit u shërbeu rreth 80 milionë pasagjerëve në vitin 2024, duke e bërë atë aeroportin më të madh dhe të dytë më të ngarkuar në Evropë, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Aeroporteve Shtetërore (DHMI).

Ai gjithashtu u bë qendra më e ngarkuar e ngarkesave ajrore në Evropë vitin e kaluar, sipas Raportit Vjetor të Trafikut të Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) për Evropën për vitin 2024.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.