Vedat Muriqi do të mungojë në dy ndeshjet e radhës së kombëtares kosovare
Kombëtarja e Kosovës më 14 nëntor do të zhvillojë ndeshjen kundër Çekisë si mysafire në Plzen, ndërsa më 17 nëntor do të presë në Prishtinë, Anglinë

Shkup
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës në futboll, Vedat Muriqi, do të mungojë në dy ndeshjet e radhës kundër Çekisë dhe Anglisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se aktualisht Muriqi është i lënduar dhe se për çdo ndryshim eventual të gjendjes së tij publiku do të informohet në kohë.
"Përkundër përpjekjeve maksimale dhe dëshirës së madhe të futbollistit për t’i ndihmuar bashkëlojtarët në këto ndeshje të rëndësishme, pas ekzaminimeve të bëra mjekësore dhe konsultimeve edhe me ekspertë të kësaj fushe në Zvicër ka rezultuar që paraqitja e tij është e pamundshme të ndodhë", tha Federata e Futbollit e Kosovës.
Muriqi, i cili luan edhe për klubin turk Fenerbahçe, u lëndua të premten e kaluar në ndeshjen e ligës turke me klubin Kasımpaşa. Trajneri i kombëtares kosovare, Bernard Challandes, dje në një konferencë për media njoftoi se Muriqi i ka thënë se ka dhimbje, por se gjendja e tij po përmirësohet.
Kombëtarja e Kosovës më 14 nëntor do të zhvillojë ndeshjen kundër Çekisë si mysafire në Plzen, ndërsa më 17 nëntor do të presë në Prishtinë Anglinë.
Ndryshe, pas Anglisë me 15 pikë dhe Çekisë me 12 pikë, Kosova renditet në vendin e tretë me 11 pikë në Grupin A të kualifikimeve për "EURO 2020", duke u pasuar nga Mali i Zi dhe Bullgaria me nga 3 pikë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.