"UEFA do të zbatojë hetim për sjelljen e Arnautoviç në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut"
Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njoftoi dje në profilin zyrtar të rrjetit social Facebook se ata kërkuan nga UEFA "dënimin më të ashpër për lojtarin e kombëtares austriake Marko Arnautoviç

Shkup
Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) njoftoi se ka caktuar një inspektor për çështje disiplinore dhe etike në mënyrë që të kryejë një hetim mbi sjelljen e lojtarit të kombëtares austriake, Marko Arnautoviç, i cili gjatë ndeshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë ka ofenduar lojtarin e kombëtares së Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Në përputhje me nenin 31/4 të Rregullores Disiplinore të UEFA-s, një inspektor për çështje etike dhe disiplinore është caktuar të hetojë incidentin që përfshin lojtarin Marko Arnautoviç i cili ndodhi gjatë ndeshjes në fazën e grupeve të Kampionatit Evropian 2020 midis ekipeve kombëtare të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut më 13 qershor 2021", thuhet në njoftimin e UEFA-s.
FFM-ja kërkoi nga UEFA masa disiplinore për sjelljen e Arnautoviç
Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) njoftoi dje në profilin zyrtar të rrjetit social Facebook se ata kërkuan nga UEFA "dënimin më të ashpër për lojtarin e kombëtares austriake Marko Arnautoviç.
"Si 'shtëpi e futbollit', ne jemi gjithmonë kundër nacionalizmit, diskriminimit dhe të gjitha formave të tjera të fyerjeve dhe lëshimeve që nuk janë në frymën e futbollit dhe vlerave për të cilat ne të gjithë qëndrojmë së bashku. Gjithmonë do të qëndrojmë dhe do t’i mbrojmë interesat dhe dinjitetin e ekipit kombëtar të Maqedonisë së Veriut kudo që ata të luajnë", thuhet në njoftimin e FFM-së.
FFM-ja kërkoi procedurë disiplinore ndaj Arnautoviç, i cili pasi shënoi golin në minutën e 89-të, filloi të fyente Alioskin.
Në ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, Arnautoviç kërkoi falje në maqedonisht dhe shqip.
Lojtarët e zgjedhur të trajnerit Igor Angellovski humbën kundër Austrisë me rezultat 3-1, në ndeshjen e Grupi "C" të Kampionatit Evropian (EURO 2020). Për Maqedoninë e Veriut kjo ishte ndeshja e saj debutuese në një Kampionat Evropian të Futbollit.
Ndeshjen e ardhshme të përzgjedhurit e trajnerit Igor Angellovski do ta zhvillojnë të enjten, më 17 qershor kundër Ukrainës.
Në Grupin “C” krahas Maqedonisë së Veriut dhe Austrisë, janë edhe kombëtaret e Ukrainës dhe Holandës.