Sport

Trajneri Sylvinho publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë

Ndeshja Andorra-Shqipëri do të luhet më 13 nëntor dhe sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese ndaj Anglisë do të zhvillohet më 16 nëntor në Tiranë

Fatjon Cuka  | 07.11.2025 - Përdıtësım : 08.11.2025
Trajneri Sylvinho publikon listën e lojtarëve për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Sylvio Mendes Campos Junior, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026, raporton Anadolu.

Trajneri i ekipit kuqezi ka përzgjedhur 25 futbollistë, për ndeshjet ndaj Andorrës dhe Anglisë, që do të zhvillohen në muajin nëntor.

Në një konferencë për mediat mbi lojtarët e grumbulluar, trajneri Sylvinho u shpreh se lojtarët i japin besim që të punojnë me ta dhe sipas tij ky ka qenë kriteri i përzgjedhjes.

"Jemi në një moment shumë të mirë të kombëtares, në mbyllje të kualifikueseve për Botërorin. Jemi ende në lojë për të shkuar në 'play off'. Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara", tha Silvinjo.

Ai tha se gjatë kualifikueseve për Botërorin 2026 "kanë bërë një rrugëtim të mirë deri tani".

"Ne duhet të punojmë si staf dhe të nxjerrim në fushë lojtarë të cilët i përgjigjen fushës dhe e prezantojnë sa më mirë fanellën e Shqipërisë. Kemi bërë ndeshje të mira", tha Silvinjo.

Lojtarët e grumbulluar për ndeshjet e nëntorit janë portierë: Thomas Strakosha, Mario Dajsinani, Simon Simoni.

Në mbrojtje: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Klisman Cake.

Mesfushorë janë grumbulluar: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Jasir Asani dhe sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku, Indrit Tuci.

Në kuadër të ndeshjeve kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, Shqipëria është në grupin K, së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

Ndeshja Andorra-Shqipëri do të luhet më 13 nëntor, në Andorra dhe sfida e fundit e kuqezinjve në këto kualifikuese ndaj Anglisë do të zhvillohet më 16 nëntor në Tiranë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın