Sportisti holandez i kënaqur për fitoren e parë profesionale në Turin e 60-të Presidencial të Çiklizmit të Türkiyes
"Është fantastike që kam arritur fitoren time të parë profesionale. Në javët e fundit e ndieja se isha afër dhe është fantastike të fitoj këtu në Türkiye", tha për AA, Del Grosso

Antalya
Sportisti holandez Tibor Del Grosso nga ekipi Alpecin-Deceuninck, i cili fitoi etapën e dytë të Turit të 60-të Presidencial të Çiklizmit në Türkiye, tha se ndihet shumë mirë që arriti fitoren e tij të parë profesionale në Türkiye, raporton Anadolu.
Duke folur ekskluzivisht për AA-në para etapës Fethiye-Marmaris, sportisti 21-vjeçar rikujtoi se ka arritur fitoren e tij të parë në një etapë profesionale. "Është fantastike që kam arritur fitoren time të parë profesionale. Në javët e fundit e ndieja se isha afër dhe është fantastike të fitoj këtu në Türkiye. Padyshim që kishte disa sprinterë të fortë dhe nuk ndihesha aq i sigurt kur hyra në sprint, kështu që po, ishte vërtet fantastike t'i mundja ato", tha Del Grosso.
Atleti holandez tha se gara e sotme është më teknike. "Sot do të jetë pak më teknike, gjë që më pëlqeu. Nuk e shijova shumë dje. Deri tani moti ka qenë shumë i mirë. Dje bëri mjaft vapë. Mendoj se disa njerëz të tjerë e kanë ndjerë vapën. Po ndoshta do të bjerë pak shi në ditët në vijim. Kam dëgjuar se kur bie shi mund të jetë mjaft rrëshqitëse këtu, por deri tani moti ka qenë i mirë", tha ai.
Del Grosso u shpreh se është shumë i kënaqur edhe me interesin e popullit turk. Ai e përfundoi fjalën e tij duke thënë: "Shoh shumë njerëz në anë të rrugës, të gjithë fëmijët dalin jashtë. Gjithashtu më pëlqen ëmbëlsira turke, bakllavaja".