Shqipëria fiton ndeshjen ndaj Polonisë me rezultatin 2-0
Ndeshja e luajtur në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë ka përfunduar me rezultatin 2-0, ndërkohë mijëra tifozë brenda dhe jashtë stadiumit mbështetën ekipin kuqezi
Tiranë
Ndeshja Shqipëri-Poloni e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Evropian 2024 ka përfunduar në favor të ekipit kuqezi, raporton Anadolu.
Ndeshja e luajtur në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë ka përfunduar me rezultatin 2-0, ndërkohë mijëra tifozë brenda dhe jashtë stadiumit mbështetën ekipin kuqezi.
Ndeshja filloi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit që ka goditur Marokun.
Për Shqipërinë golat u shënuan nga Asani në minutën e 37-të dhe Daku në minutën e 62-të të ndeshjes.
Disa minuta para dhe pas fillimit të ndeshjes u shënuan edhe disa incidente dhe tensione mes tifozëve të dy skuadrave, si dhe u hodhën edhe flakadanë nga tifozët.
Në kuadër të Kampionatit Evropian 2024, Kombëtarja e Shqipërisë është në Grupin E, së bashku me Poloninë, Republikën Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavinë dhe aktualisht kryeson grupin me 10 pikë.
