Sport

Shqipëria fiton ndeshjen kualifikuese kundër Serbisë në Leskovac, forcon pozitën për kualifikim në FIFA 2026

Golin vendimtar për kuqezinjtë e realizoi Rey Manej në minutën 45+, duke i dhënë skuadrës shqiptare së drejtuar nga trajneri Sylvinho një triumf të rëndësishëm në garën për kualifikim

Abdulbesar Ademi  | 11.10.2025 - Përdıtësım : 12.10.2025
Shqipëria fiton ndeshjen kualifikuese kundër Serbisë në Leskovac, forcon pozitën për kualifikim në FIFA 2026 Foto: Sasa Djordjevic/AA

Shkup

Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur një fitore historike 0:1 ndaj Serbisë në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, e zhvilluar në stadiumin “Duboçica” në qytetin serb Leskovac, raporton Anadolu.

Golin vendimtar për kuqezinjtë e realizoi Rey Manej në minutën 45+, duke i dhënë skuadrës shqiptare së drejtuar nga trajneri Sylvinho një triumf të rëndësishëm në garën për kualifikim.

Me këtë fitore, Shqipëria forcon pozitat në vendin e dytë të Grupit K, pas Anglisë, që vazhdon të kryesojë me diferencë të sigurt. Serbia mbetet në vendin e tretë, duke e pasur gjithnjë e më të vështirë rrugën drejt fazës ‘play-off’.

Në Grupin K bëjnë pjesë Anglia, Shqipëria, Serbia, Letonia dhe Andorra. Sipas sistemit të UEFA-s, vendi i parë kualifikohet direkt për Kupën e Botës 2026, ndërsa vendi i dytë siguron pjesëmarrjen në fazën ‘play-off’.

Me këtë triumf, kuqezinjtë afrohen edhe më shumë me ëndrrën e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror 2026, ndërsa në ndeshjet e mbetura do të kërkojnë të ruajnë vendin e dytë që i çon drejt fazës së ardhshme.

Takimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, pa praninë e tifozëve shqiptarë, pasi autoritetet dhe UEFA e kishin cilësuar ndeshjen si me rrezikshmëri të lartë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.