Shqipëri, mbahet për herë të parë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s
Në njoftimin nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) thuhet se në mbledhjen e sotme komiteti mori disa vendime të rëndësishme lidhur me të ardhmen e futbollit evropian.

Tiranë
Shqipëria ka pritur për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, mbledhje e cila u zhvillua sot në Tiranë, transmeton Anadolu.
Në njoftimin nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) thuhet se në mbledhjen e sotme komiteti mori disa vendime të rëndësishme lidhur me të ardhmen e futbollit evropian.
Nën drejtimin e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s votuan Stadiumin “Metropolitano” të Madridit si vendin pritës të finales së Ligës së Kampionëve për vitin 2027. Stadiumi Kombëtar i Varshavës do të presë finalen e Ligës së Kampioneve për Vajza në vitin 2027, ndërsa finalja e Superkupës së UEFA-s do të luhet në Salzburg të Austrisë.
Finalja e Ligës së Kampionëve në Futsall për vitin 2026 do të luhet në Pesaro të Italisë, finalja e EURO U-19 në Futsall do të luhet në Astana të Kazakistanit, ndërsa finalja e Evropianit të Futsallit për Vajza për vitin 2027 do të luhet në Osijek të Kroacisë.
Komiteti Ekzekutiv diskutoi kërkesat nga RFEF (Federata Spanjolle e Futbollit) dhe FIGC (Federata Italiane e Futbollit) për të miratuar zhvillimin e një ndeshjeje të kampionatit kombëtar secila jashtë vendit të tyre, në veçanti jashtë territorit të UEFA-s. Sipas FSHF-së, komiteti e njohu këtë si një çështje të rëndësishme dhe në rritje, por "shprehu dëshirën për të siguruar mendimin e të gjithë aktorëve përpara se të merret një vendim përfundimtar".
Gjithashtu, Komiteti Ekzekutiv miratoi një ndryshim në rregulloret e kompeticioneve të klubeve të UEFA-s për djem 2025/26.
Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s solli në Tiranë drejtuesit më të lartë të futbollit evropian.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, u prit nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ndërkohë që mori pjesë edhe në një aktivitet dedikuar fëmijëve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.