Sheriff i kujtoi botës së futbollit se ku ndodhet në hartë Moldavia
Vlera e skuadrës së klubit Sheriff është vetëm 12.98 milionë euro. Sheriff arriti një rezultat të papritur pasi eliminoi klubin kroat Dinamo Zagreb, me vlerë prej 131.3 milionë euro

Ankara
Sheriff u bë klubi i parë moldav që arriti të bëhet pjesë e fazës së grupeve në UEFA Ligën e Kampionëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Përpjekja e klubeve moldave për të marrë pjesë në turneun më të rëndësishëm të nivelit të klubeve në futbollin evropian, i cili filloi në sezonin 1993-94, kur Zimbru u eliminua në raundin e parë kualifikues, arriti sukses në sezonin 2021-22.
Sipas të dhënave të "Transfermarkt" vlera e skuadrës së klubit Sheriff është vetëm 12.98 milionë euro. Sheriff arriti një rezultat të papritur pasi eliminoi klubin kroat Dinamo Zagreb, me vlerë prej 131.3 milionë euro, 10 herë më i vlefshëm se klubi moldav.
Në raundin e parë Sheriff eliminoi klubin e Kategorisë Superiore të Shqipërisë, Teuta, duke vazhduar në raundin e dytë Alashkertin nga Armenia, në raundin e tretë Crvena Zvezdën nga Serbia dhe në "play-off" Dinamo Zagrebin.
Sheriff më parë në vitet 2009-10 dhe 2010-11 ka arritur deri në raundin "play-off".
Në këtë mënyrë, Moldavia, me një popullsi prej 2.6 milionë banorësh, u regjistrua si vendi i 34-të që do të përfaqësohet në fazën e grupeve të UEFA Ligës së Kampionëve.
Sheriffi, skuadra e Moldavisë, e cila është ndër vendet më të varfra në Evropë sipas paritetit të fuqisë blerëse për frymë, gjithashtu ka garantuar të fitojë më shumë se 15 milionë euro si shpërblim për arritjen në fazën e grupeve.
Pronarët e klubit ish-anëtarë të KGB-së
Liga më e lartë e futbollit në Moldavi, filloi të organizohet në vitin 1992 kur vendi u nda nga Bashkimi Sovjetik. Klubi Sheriff u themelua në vitin 1997. Emrin e mori nga kompania e ish-anëtarëve KGB-së (Shërbimi inteligjent i Bashkimit Sovjetik) Viktor Gushan dhe Ilya Kazmaly.
Kompania e themeluar nga Gushan i cili është edhe kreu i klubit, operon në sektorë të ndryshëm si shpërndarja e karburantit, transmetimi televiziv, zinxhiri i supermarketeve, ndërtim, shtëpi botuese, agjenci reklamuese, produktet e furrës.
Për herë të parë kampionatin e fitoi në sezonin 2000-01 ndërsa në 21 vitet e fundit 19 herë e ka fituar ligën.
Edhe pse ligjërisht ndodhet në territorin e Moldavisë, Sheriff është klubi i rajonit të Transnjistrisë që ka shpallur njëanshëm pavarësinë ndërsa ndeshjet i luan në stadiumin Sheriff në qytetin e dytë më të madh të vendit, Tiraspol.