Majlinda Kelmendi fiton medaljen e artë dhe ngrit flamurin e Kosovës në Rusi
Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Kazan të Rusisë

Prishtinë
PRISHTINË (AA) – Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi e ka fituar medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Kazan të Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në finalen e sotme të femrave, në kategorinë deri në 52 kilogram, Majlinda e mposhti francezen Priscilla Gneto dhe atë me Ippon, për t’u kurorëzuar mbretëreshë e Evropës në xhudo.
Kështu, Majlinda gjatë ceremonisë zyrtare të ndarjes së medaljeve në Rusi, ngriti flamurin shtetëror të Kosovës dhe detyroi të gjithë të pranishmit që ta nderojnë himnin e Republikës së Kosovës.
Për Majlindën e cila në karrierën e saj ka tituj shumë më të vlefshëm se ky i kampiones së Evropës, dy tituj rresht të kampiones së botës, megjithatë triumfi në Rusi kishte domethënie shumë të madhe dhe ajo e vlerësoi si “më shumë se fitore sportive”.
Në rrugën e saj deri tek medalja e artë, ajo në xhiron e parë kaloi pa luftë, në rrethin e dytë e mposhti lehtë ukrainasen Oleksandra Starkova,ndërsa në rrethin e tretë e eliminoi izraeliten Roni Schëartz.
Luftën më të vështirë, Majlinda e pati në gjysmëfinale, ku u ndesh me francezen Euranie Annabelle, të cilën e mposhti vetëm falë aktivitetit më të madh në duel.
Ndërkohë, në finale ajo hyri në ritmin e saj shkatërrues dhe me Ippon spastroi francezen tjetër Gnetto, që përndryshe kishte eliminuar në gjysmëfinale rumunen Chitu e cila aktualisht prinë në rang listën botërore të xhudistëve, në kategorinë deri në 52 kilogram.
Por, kjo do të ndryshoië pas këtij kampionati dhe triumfit të madh të Majlindës e cila pas operimit të gjurit dhe mungesës gati 8 mujore të tatamit ndërkombëtar, është duke u kthyer në maje dhe në formën më të mirë të jetës, pikërisht para Lojërave Olimpike Verore “Rio 2016”, ku vlerësohet si njëra nga kandidatet potenciale për medalje të artë
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.