Sport

Kryeministri australian bisedon me homologen serbe për rastin e tenistit Gjokoviç

Gjatë bisedës mes dy liderëve, Morrison deklaroi se kufizimet e udhëtimit të Australisë nuk përfshijnë diskriminim

Recep Şakar  | 11.01.2022 - Përdıtësım : 12.01.2022
Kryeministri australian bisedon me homologen serbe për rastin e tenistit Gjokoviç

Melbourne

Teksa mbetet e paqartë nëse tenisti serb, Novak Gjokoviç, do të dëbohet nga Australia, kryeministri australian, Scott Morrison, ka realizuar një telefonatë me kryeministren serbe, Ana Brnabiç, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve të Korporatës Australiane të Transmetimeve, gjatë bisedës mes dy liderëve, Morrison deklaroi se kufizimet e udhëtimit të Australisë nuk përfshijnë diskriminim.

Sipas lajmit, Morrison i tregoi kryeministres serbe se si politika e mbrojtjes së kufijve të Australisë e mbrojti vendin gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas medias serbe RTS, kryeministrja Brnabiç u kërkoi autoriteteve australiane që të trajtojnë Novak Gjokoviçin në mënyrë të drejtë.

Brnabiç thuhet se ka deklaruar se Novak Gjokoviç nuk është lejuar të stërvitet, duke theksuar rëndësinë e kushteve të stërvitjes dhe përgatitjes fizike, duke pasur parasysh se turneu në Melbourne do të fillojë këtë fundjavë.

Ministri i Emigracionit nuk e shpalli vendimin e tij

Gjykata Federale Australiane e Qarkut dhe Familjes, e cila përcaktoi se viza e Gjokoviçit ishte revokuar në mënyrë të paarsyeshme, vendosi të lirojë tenistin e famshëm nga hoteli ku mbahej në qendrën e paraburgimit të emigracionit. Gjykatësi Anthony Kelly urdhëroi gjithashtu që të gjitha shpenzimet gjyqësore të paguhen nga qeveria.

Pas vendimit të gjykatës, erdhi në rend dite që ministri australian i Emigracionit, Alex Hawke, mund të përdorë kompetencat e tij ministrore për t'ia anuluar vizën Gjokoviçit.

"Ministri aktualisht po shqyrton çështjen dhe procesi është në vazhdim", tha zëdhënësi i Hawkes të hënën mbrëma.

Mbështetje për Gjokoviçin nga deputeti i partisë në pushtet

Deputeti dhe ish-tenisti profesionist i Partisë Liberale në pushtet, John Alexander, i ka bërë thirrje qeverisë, duke kërkuar që Gjokoviç të lejohet të qëndrojë dhe të konkurrojë.

Duke thënë se gjyqtari Kelly ishte "shumë i qartë" në vendimin e tij, Alexander tha se Gjokoviç nuk përbënte kërcënim për shoqërinë australiane dhe se nuk kishte asnjë arsye që viza e tij t'i revokohej nga ministria.

Çfarë kishe ndodhur?

Gjokoviç, i cili nuk e bëri të ditur nëse ka marrë vaksinë kundër COVID-19 apo jo, deklaroi se do të merrte pjesë në turneun e tenisit Australian Open që do të mbahet në Melbourne me një vendim përjashtimi mjekësor.

Pasi arriti në Melbourne, Gjokoviç, të cilit nuk iu pranua vendimi i përjashtimit dhe iu anulua viza e hyrjes, u dërgua në hotelin ku mbaheshin refugjatët.

Gjokoviç, i cili ka 9 tituj Grand Slam në Australian Open dhe 20 tituj Grand Slam në karrierën e tij, kundërshtoi anulimin e vizës dhe e çoi vendimin në gjykatën federale.

Në çështjen, e cila u dëgjua dje në Gjykatën Federale të Qarkut dhe Familjes të Australisë, u konstatua se Gjokoviç kishte të drejtë dhe u anulua vendimi i qeverisë australiane për heqjen e vizës së Gjokoviçit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın