Kosova në prag të dy ndeshjeve përcaktuese për kualifikim në Botërorin 2026
"Dëshirojmë gjithsesi të fitojmë një pikë që së paku të arrijmë në 'play-off' dhe pastaj të shohim tutje", tha trajneri i kombëtares së Kosovës, Franco Foda
Prishtinë
Trajneri i Kosovës në futboll, Franco Foda, në konferencën për media në prag të dy ndeshjeve të fundit kualifikuese për Botërorin 2026 është shprehur optimist për kualifikimin e Kosovës, raporton Anadolu.
Kombëtarja e Kosovës e cila më 15 nëntor udhëton për në Lubjanë ku do të luaj kundër Sllovenisë ndërsa më 18 nëntor pret Zvicrën në Prishtinë, sipas trajnerit Foda, është në formë të mirë.
"Fokusi ynë kryesor do të jetë tani në ndeshjen kundër Sllovenisë sepse dëshirojmë gjithsesi të fitojmë një pikë që së paku të arrijmë në 'play-off' dhe pastaj të shohim tutje", tha Foda.
Në listën e lojtarëve që do të jenë pjesë e këtyre dy ndeshjeve është bërë e ditur se do të jetë edhe kapiteni i kombëtares kosovare, mbrojtësi Amir Rrahmani.
Trajneri Foda tha se Rrahmani është rikthyer në fushë pas një lëndimi dymujor.
"Që të gjithë lojtarët të cilët i kemi ftuar janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe kanë kaluar një fazë shumë të mirë në ndeshjet e fundit. Edhe Rrahmani dhe Dellova na janë bashkuar tani dhe janë në gjendje të luajnë. Tani kemi më shumë mundësi dhe alternativa", tha Foda.
Tutje Foda tha se me Kosovën nuk ka arritur ende synimet e dëshiruara. Ai tha se deri më tani kanë analizuar mirë lojën e Sllovenisë dhe thotë se Kosova është më e përgatitur.
Kosova me 7 pikë aktualisht është në vendin e dytë të Grupit B të eliminatoreve për Botërorin 2026 ndërsa në vendin e parë është Zvicra me 10 pikë. Sllovenia është në vendin e tretë me 3 pikë ndërsa Suedia në vendin e katërt me 1 pikë.
