Kombëtarja e Kosovës në futboll ndan rrugët me trajnerin Primozh Gliha
“FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit Alain Giresse”, thuhet në njoftimin e FFK-së

Prishtinë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka përfunduar marrëveshjen me trajnerin e deritanishëm të ekipit kombëtar A, Primozh Gliha, transmeton Anadolu.
FFK-ja bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi se përfundimi i bashkëpunimit me trajnerin Gliha vjen me rastin e përfundimin të ciklit kualifikues të Kosovës për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvilluara pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit Alain Giresse”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se FFK-ja pas dështimit të Kosovës që të kualifikohet në “Euro 2024” tashmë ka filluar “analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar”.
Trajneri Gliha, i cili e mori drejtimin e Kosovës në korrik të këtij viti, nga gjashtë ndeshje të kombëtares, arriti dy fitore, dy barazime dhe dy humbje.
Kosova me gjithsej 11 pikë përfundoi në vendin e pestë apo të parafundit në “Grupin I” të kualifikimeve për “Euro 2024”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.