Sport

Kombëtaret e Ballkanit Perëndimor mësojnë rivalët në play-off për Botërorin, finale potenciale Kosovë-Turqi në Prishtinë

Shorti u hodh në qendrën e FIFA-s në Zyrih, ku u përcaktuan 16 skuadrat që do të garojnë në play-off-et me eliminim të vetëm. Gjysmëfinalet luhen më 26 mars 2026, ndërsa finalet më 31 mars 2026

Yunus Kaymaz  | 20.11.2025 - Përdıtësım : 20.11.2025
Kombëtaret e Ballkanit Perëndimor mësojnë rivalët në play-off për Botërorin, finale potenciale Kosovë-Turqi në Prishtinë

Londër

Është hedhur shorti i play-off-it të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll, sipas të cilit, përfaqësuesja e Kosovës mund të përballet me Turqinë në finale nëse të dyja e kalojnë fazën e gjysmëfinales, ndërsa Shqipëria do të përballet me Poloninë, raporton Anadolu.

Në gjysmëfinalen e Rrugës C, Kosova do të përballet në transfertë me Sllovakinë, ndërsa në ndeshjen tjetër të kësaj rruge, Turqia luan ndaj Rumanisë. Fitueset e këtyre dy sfidave do të takohen më 31 mars 2026 në finalen e Rrugës C, e cila vendos një vend për pjesëmarrje në Botërorin 2026.

Kjo do të thotë se, nëse Kosova kalon Sllovakinë dhe Turqia eliminon Rumaninë, dy kombëtaret do të përballen drejtpërdrejt në Prishtinë për një biletë në Kupën e Botës.

Shorti u hodh në qendrën e FIFA-s në Zyrih, ku u përcaktuan 16 skuadrat që do të garojnë në play-off-et me eliminim të vetëm. Gjysmëfinalet luhen më 26 mars 2026, ndërsa finalet më 31 mars 2026.

Ekipet e përzgjedhura nga vazot 1 dhe 2 do t'i zhvillojnë ndeshjet gjysmëfinale në shtëpi.

Ndërkohë, edhe Shqipëria e gjeti veten në një rrugë të fortë, atë B, ku do të luajë në transfertë kundër Polonisë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të sfidojnë fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.

Maqedonia e Veriut do të përballet si mysafir me Danimarkën në Rrugën D, ndërsa fituesi do të luajë në finale me më të mirin e ndeshjes Çeki-Irlandë.


Play-off-et:

Rruga A:

Itali - Irlandë e Veriut

Uells - Bosnjë e Hercegovinë

Finalja: Uells - Bosnjë e Hercegovinë / Itali - Irlandë e Veriut


Rruga B:

Ukrainë - Suedi

Poloni - Shqipëri

Finalja: Ukrainë - Suedi / Poloni - Shqipëri


Rruga C:

Turqi - Rumani

Sllovaki - Kosovë

Finalja: Sllovaki - Kosovë / Turqi - Rumani


Rruga D:

Danimarkë - Maqedoni e Veriut

Çeki - Irlandë

Finalja: Çeki - Irlandë / Danimarkë - Maqedoni e Veriut


- Play-off-i ndërkontinental

Përveç play-off-it evropian, FIFA ka përcaktuar edhe dy rrugë të play-off-it ndërkontinental, të cilat do të ofrojnë dy vende shtesë në Botëror:

1. Rruga e parë:

Kaledonia e Re - Xhamajka (fituesi përballet me Republikën Demokratike të Kongos).

2. Rruga e dytë:

Bolivia - Surinami (fituesi përballet me Irakun).

Fituesit e play-off-eve do të sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin 2026, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.