Kingsley Coman vazhdon kontratën me Bayern Munich
Sulmuesi francez nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me skuadrën gjermane

Ankara
Klubi gjerman Bayern Munich njoftoi se futbollisti Kingsley Coman vazhdoi kontratën e tij deri në vitin 2027, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës, kontrata e francezit, fillimisht e parashikuar deri më 30 qershor 2023, është zgjatur për pesë vjet.
“Jam shumë i lumtur sepse FC Bayern është një nga klubet më të mira në botë dhe e di se kemi ende shumë mundësi dhe objektivë të mëdha këtu. Unë kam qenë në klub që nga viti 2015, ndihem si një familje e madhe. Gjithçka është perfekt këtu”, tha 25-vjeçari.
Drejtori ekzekutiv i klubit, Oliver Kahn, u shpreh se lojtarët me aftësitë e Kingsley Coman kërkohen nga klubet në mbarë botën. "Ne jemi të kënaqur që Kingsley ka vazhduar kontratën me ne", shtoi ai.
Coman me gjigantin gjerman ka fituar një titull në Ligën e Kampionëve UEFA (2020), një Kupë të Botës për Klube FIFA (2021) dhe gjashtë tituj të Bundesligës (2016-2021).