Sport

Historike, Shqipëria kualifikohet në Kampionatin Europian “Francë 2016”

- Me fitoren e siguruar në Jerevan kundër Armenisë me rezultatin 0:3, ekipi shqiptar tashmë ka realizuar ëndrrën historike, pasi luajti ndeshjen e fundit në grup, në kuadrin e eliminatoreve të këtij kampionati,

Fatjon Cuka  | 11.10.2015 - Përdıtësım : 12.10.2015
Historike, Shqipëria kualifikohet në Kampionatin Europian “Francë 2016”

Tiranë

TIRANË (AA) - Ekipi kombëtar i futbollit të Shqipërisë është kualifikuar zyrtarisht për në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Me fitoren e siguruar në Jerevan kundër Armenisë me rezultatin 0:3, ekipi shqiptar tashmë ka realizuar ëndrrën historike, pasi luajti ndeshjen e fundit në grup, në kuadrin e eliminatoreve të këtij kampionati, raporton Anadolu Agency (AA).

Zhgënjimit në ndeshjen me Serbinë ia zuri vendin entuziazmi për këtë fitore historike të Shqipërisë në kryeqytetin armen. 11 tetori 2015 do të mbahet mend gjatë si një ditë historike në futbollin shqiptar

Shqipëria ka kaluar në avantazh në minutën e 9-të, ku Hovannisyan bën autogol. Po në pjesën e parë ekipi shqiptar shënon golin e dytë nga Djimsiti në minutën e 23-të. Ndërsa golat nuk munguan as në pjesën e dytë, ku  Sadiku në minutën e 76-të ka vulosur rezultatin përfundimtar 0:3 në favor të ekipit kombëtar të futbollit të Shqipërisë.

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasidha në një konferencë për shtyp së bashku me kapitenin Lorik Cana dhe menaxherin e skuadrës Alban Bushi, të mbajtur një ditë para ndeshjes, pati theksuar se ishin të gjitha mundësitë për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme.

Ndërkohe menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, tifozët kuq e zi kanë marshuar rrugëve dhe shesheve të Tiranës për të festuar këtë kualifikim të kombëtares shqiptare. Me qindra tifozë dhe qytetarë,  pavarësisht reshjeve të shiut kanë kanë festuar për këtë moment historik të Kombëtares Shqiptare të Futbollit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, Pedonalja e kryeqytetit dhe me dhjetëra rrugë të Tiranës janë veshur kuq zi nga prania e madhe e tifozerisë shqiptare me simbolet kombëtare.

Gjithashtu reagime për këtë kualifikim historik kanë ardhur edhe nga politika shqiptare dhe drejtuesit e shtetit shqiptar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook ka pohuar se: “Ëndrra e Pamundur u bë realitet! Shqipëria në historinë e Finaleve të Europianit! Mirënjohje Kuqezinjve dhe DeBiazit... Fati është me atë që nuk dorëzohet”.

Ndërsa ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila u zhvillua më 8 tetor 2015 përfundoi me rezultatin 0-2 në favor të ekipit serb. Të dy golat janë shënuar në minutat e fundit shtesë të ndeshjes, nga Kolarov dhe Ljajiç, ndërsa nuk pati incidente gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Futbollistët e thirrur për këto dy ndeshje ishin Etrit Berisha, Alban Hoxha, Orgest Shehi, Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Lorik Cana, Berat Djimsiti, Elseid Hysaj, Amir Rrahmani, Andi Lila, Amir Abrashi, Migjen Basha, Ergys Kace, Ledian Memushaj, Taulant Xhaka, Burim Kukeli, Herolind Shala, Bekim Balaj, Sokol Çikalleshi, Shkelzen Gashi, Odise Roshi, Armando Sadiku, Ermir Lenjani, Alban Meha dhe Hamdi Salihi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın