Hidhet shorti për Botërorin 2026, kombëtaret e rajonit mësojnë grupet në rast të kualifikimit
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Shkup
SHKUP (AA) – Është hedhur shorti për fazën e grupeve të Kampionatit Botëror FIFA 2026, ndërsa kombëtaret e vendeve të rajonit, të cilat ende garojnë në fazën e play-off-it për të siguruar një vend në kampionat, kanë mësuar kundërshtarët potencialë të grupeve në rast të kualifikimit, transmeton Anadolu.
Për herë të parë, 48 vende do të marrin pjesë në Kupën e Botës. Deri më tani, 42 vende kanë siguruar vendet e tyre. Nga gjashtë vendet e fundit kualifikuese, katër do të kualifikohen nga raundi play-off i kualifikimeve evropiane, ndërsa dy do të kualifikohen nga faza e eliminatoreve ndërkontinentale.
Në shortin e hedhur në kryeqytetin amerikan Washington, morën pjesë krerët e vendeve pritëse – SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës – presidenti Donald Trump, kryeministri Mark Carney dhe presidentja Claudia Sheinbaum, si dhe figura të larta nga bota e futbollit, duke përfshirë presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Në rast të kualifikimit, Kombëtarja e Shqipërisë mund të zë një vend në Grupin F, ku pas shortit janë vendosur Holanda, Japonia dhe Tunizia. Shqipëria në Rrugën B të play-off-it do të përballet me Poloninë si mysafir, ndërsa në finale mund të ketë përballë fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi.
Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Sllovakinë si mysafir në Rrugën C, ndërsa në rast të fitores, në finale do të ketë përballë fituesin e ndeshjes Turqi-Rumani. Në rast të kualifikimit në Botëror, Kosova do jetë në Grupin D, ku gjenden SHBA-ja, Paraguaji dhe Australia.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, ajo ka gjasa të jetë në Botëror në Grupin A së bashku me Meksikën, Afrikën e Jugut dhe Korenë e Jugut, nëse në gjysmëfinale të play-off-it në Rrugën D mposht Danimarkën si mysafir dhe më pas triumfuesin e përballjes Çeki Irlandë.
Ndeshjet gjysmëfinale të play-off-it për të siguruar biletë për Kampionatin Botëror do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Përveç play-off-it evropian, FIFA ka përcaktuar edhe dy rrugë të play-off-it ndërkontinental, të cilat do të ofrojnë dy vende shtesë në Botëror. Në Rrugën e Parë, Kaledonia e Re përballet me Xhamajkën dhe fituesi ndeshet më pas me Republikën Demokratike të Kongos.
Ndërkaq, në Rrugën e Dytë, Bolivia do të ketë përballë Surinamin, ndërsa fituesi përballet me Irakun.
Botërori 2026 do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Grupet e Kampionatit Botëror 2026 pas hedhjes së shortit janë si më poshtë:
Grupi A: | Meksikë, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, fituesi i playoff-it evropian D |
Grupi B: | Kanada, Katar, Zvicër, fituesi i playoff-it evropian A |
Grupi C: | Brazil, Marok, Haiti, Skoci |
Grupi D: | SHBA, Paraguaj, Australi, fituesi i playoff-it evropian C |
Grupi E: | Gjermani, Bregu i Fildishtë (Ivory Coast), Ekuador, Curaçao |
Grupi F: | Holandë, Japonia, Tunizia, fituesi i playoff-it evropian B |
Grupi G: | Belgjikë, Egjipt, Irani, Zelanda e Re |
Grupi H: | Spanjë, Arabia Saudite, Uruguaj, Cape Verde |
Grupi I: | Francë, Senegal, Norvegji, fituesi i playoff-it ndërkontinental 2 |
Grupi J: | Argjentinë, Algjeri, Austri, Jordani |
Grupi K: | Portugali, Uzbekistan, Kolumbi, fituesi i playoff-it ndërkontinental 1 |
Grupi L: | Angli, Kroaci, Panama, Gana |
