Federata e Tenisit e Kosovës reagon pas provokimit të ekipit serb në “Davis Cup”
Në një njoftim për media të FTK-së thuhet se tenisti serb Novak Gjokoviq dhe ekipi përfaqësues i Serbisë në Davis Cup, të njohur edhe si Kampionati Botëror i Tenisit, ka provokuar sërish Kosovën me këngë nacionaliste serbe

Prishtinë
Federata e Tenisit e Kosovës (FTK) ka reaguar për provokimin e radhës nga sportistët serbë, transmeton Anadolu.
Në një njoftim për media të FTK-së thuhet se tenisti serb Novak Gjokoviq dhe ekipi përfaqësues i Serbisë në Davis Cup, të njohur edhe si Kampionati Botëror i Tenisit, ka provokuar sërish Kosovën me këngë nacionaliste serbe.
“Kënga nacionaliste serbe ku përmendet Kosova si dhe bëhet thirrje që të valojë flamuri serb nga Prizreni në Rumi, u lëshua në prezantim të ekipit të Serbisë në takimin e tyre që u zhvillua në Malaga të Spanjës mbrëmjes e të mërkurës. Është për keqardhje që provokime të tilla me këngë e veprime nacionaliste po ndodhin nëpër ngjarje të mëdha sportive e sidomos në Davis Cup që është edhe Kampionati Botëror i Tenisit”, tha FTK-ja.
FTK-ja ka bërë përgjegjëse Federatën Ndërkombëtare të Tenisit duke konsideruar se ajo “si organizatore e kësaj gare është përgjegjëse dhe bashkëfajtore për këtë provokim të radhësh ndaj shtetit të Kosovës”.
Tutje, FTK-ja tha se tenisti Gjokoviq në turneun Rolan Garros në Paris pati bërë po ashtu bujë të madhe me shkrimin e tij kur shkroi që Kosova është zemra e Serbisë dhe Federata e Tenisit së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes konsulentëve të jashtëm shkruan ankesë tek institucionet relevante ndërkombëtare, por nuk u ndërmor kurrfarë mase ndëshkuese ndaj tij.
FTK-ja ka thënë se në koordinim me institucionet shtetërore do të bëj ankesë në Federatën Ndërkombëtare të Tenisit, Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe në institucionet tjera relevante.
Gjokoviqi njihet si nacionalist serb, i cili së fundmi u doli në përkrahje edhe pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shator.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.