Sport

FC Prishtina luan me ekip të huazuar kundër Lincoln Red Imps në Gjibraltar

“Nuk bëhet fjalë se i kemi zëvendësuar vetëm ata 8 lojtarët që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, por të gjithë lojtarët duke përfshirë edhe stafin”, ka thënë drejtori sportiv i FC Prishtina për AA

Agim Sulaj  | 20.08.2020 - Përdıtësım : 21.08.2020
FC Prishtina luan me ekip të huazuar kundër Lincoln Red Imps në Gjibraltar

Prishtinë

Ndeshja ndërmjet ekipit kosovar të futbollit FC Prishtina dhe atij nga Gjibraltari Lincoln Red Imps në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Ligën Europa të UEFA-së e cila u pezullua të martën pasi 8 futbollistë të Prishtinës dolën pozitiv në COVID-19, do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 18:00 pas një marrëveshjeje jo të zakonshme midis të dyja ekipeve dhe UEFA-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Fillimisht, klubi kosovar Prishtina i ka argumentuar UEFA-së arsyet që të mos anulohet kjo ndeshje, ndërsa UEFA ka pranuar që Prishtina të përballet me Lincoln Red Imps, por me një përbërje të re të ekipit.

Si rrjedhojë, të shtunën, Prishtina do të përfaqësohet me skuadër tjetër dhe jo me pjesëmarrësit që ishin në Gjibraltar për takimin e së martës së 18 gushtit.

Drejtori sportiv i klubit Prishtina, Grabit Begolli, ka konfirmuar për AA se ndeshja do të zhvillohet të shtunën në Gjibraltar nga ora 18:00, duke falënderuar skuadrat kosovare Ferronikelin, Llapin, Trepçën ’89, Flamurtarin, Ballkanin, Drenicën dhe Vushtrrinë që i kanë dalë në ndihmë ekipit të kryeqytetit për formimin e një përbërje të re të ekipit.

“Nuk bëhet fjalë se i kemi zëvendësuar vetëm ata 8 lojtarët që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, por të gjithë lojtarët, duke përfshirë edhe stafin, me një fjalë nuk do të jetë askush nga rreth 40 njerëz që kanë qenë të caktuar ta përfaqësojnë Prishtinën në takimin e 18 gushtit”, ka thënë Begolli.

Skuadra kosovare ka bërë të ditur nëpërmjet faqes së saj zyrtare në rrjete sociale se do t’i testojë të gjithë ekspeditën, duke mos i lënë asgjë rastit, teksa shpreson që kësaj radhe fati të jetë në anën e tyre “dhe të mos kenë shqetësime të reja me të infektuar”.

Prishtina tani të shtunën do të paraqitet me “fytyrë të re” në Gjibraltar, ndërsa duke filluar nga trajneri kryesor dhe lojtarët e huazuar, shumica prej tyre janë ish-pjesëtarë të ekipit të Prishtinës dhe nga ekipet e tjera vendore të lartpërmendura.

Trajnerët në përbërjen e re të Prishtinës do të jenë Ramiz Krasniqi dhe Xhelal Karabegu, ish-lojtarë dhe ish-trajnerë të Prishtinës, si dhe Nazmi Rama, ish-lojtar i Prishtinës.

Skuadrën tani do ta përfaqësojnë, Giacomo Nava, Ardit Nika, Florjan Smakiqi, Elvis Prençi, Besmir Bojku, Bujar Idrizi, Ilir Berisha, Gentrit Dumani, Yll Hoxha, Lapidar Lladrovci, Ardian Muja, Kushtrim Gashi, Donat Hasanaj, Mergim Boshnjaku, Albert Dabiqaj, Lassine Traore, Adem Maliqi, Arbnor Muja, Mërgim Pefqeli, Mentor Zhdrella, Kastriot Selmani, Ermal Krasniqi, Mendurim Hoti dhe Valmir Veliu.

Ndryshe, ndeshja ndërmjet Lincoln Red Imps dhe Prishtinës, e paraparë të zhvillohej të martën në orën 18:00, u anulua pak kohë para fillimit të saj. Një gjë e tillë ndodhi pasi 8 futbollistë të Prishtinës dolën pozitiv në COVID-19, në rezultatet e paraqitura nga laboratori i licencuar nga UEFA në Spanjë.

Me të marrë lajmin e pezullimit të ndeshjes, ishte Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) e cila reagoi duke kërkuar nga UEFA vendim të drejtë. Sipas FFK-së, “Prishtina ishte e gatshme për ta zhvilluar ndeshjen edhe me lojtarët që kishte në dispozicion (negativ në COVID-19), gjë e cila rekomandohet edhe me rregulloren e re të UEFA-së për ndeshjet gjatë pandemisë”. Megjithatë, autoritet e Gjibraltarit e pamundësuan një gjë të tillë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.