EURO 2020: Shqipëria fiton ndeshjen me Islandën, Kosova mposhtet nga Anglia
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin "Elbasan Arena" ka përfunduar me rezultatin 4-2 në favor të Shqipërisë, ndërkohë Kosova në stadiumin "St. Mary's" është mposhtur nga Anglia me rezultatin 5:3

Elbasan/Prishtinë
Kombëtarja e Shqipërisë ka fituar ndeshjen me Islandën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në Futboll "EURO 2020", raporton Anadolu Agency (AA).
Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin "Elbasan Arena" ka përfunduar me rezultatin 4-2 në favor të Shqipërisë.
Golat për Shqipërinë u shënuan nga Dermaku, Hysaj, Roshi dhe Çikalleshi, ndërsa për ekipin e Islandës u shënuan nga Sigurdsson dhe Sigthórsson.
Në stadium, por edhe jashtë tij, tifozët kanë mbështetur ekipin kuqezi, ndërsa Policia e Shqipërisë kishte marrë masa shtesë për të shmangur incidentet gjatë ndeshjes.
Për fazën eliminatore të "EURO 2020" Shqipëria është në grupin H, së bashku me Turqinë, Francën, Islandën, Moldavinë dhe Andorrën.
Pas fitores ndaj Islandës, Shqipëria ndodhet në vendin e katërt në grup me nëntë pikë.
Ndeshjet e radhës në kuadër të "EURO 2020" Kombëtarja e Shqipërisë i ka me Turqinë, Moldavinë, Andorrën dhe Francën.
Kosova mposhtet nga Anglia me dy gola epërsi
Kosova e cila po ashtu zhvilloi ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Evropian "EURO 2020", është mposhtur nga Anglia me dy gola epërsi.
Ndeshja që u zhvillua në stadiumin “St. Mary’s” në Southampton përfundoi me rezultat 5:3 në favor të Anglisë, megjithëse Kosova ishte e para që kaloi në epërsi në minutën e parë të ndeshjes nëpërmjet Valon Berishës, pas një gabimi në mbrojtjen e vendasve.
Epërsia e Kosovës ndaj Anglisë zgjati vetëm shtatë minuta, pasi në minutën e tetë rezultatin e barazoi Raheem Sterling.
Menjëherë pas golit të Sterling, Anglia ka përmbysur rezultatin me golin e Harry Kane në minutën e 19-të për të kaluar në epërsi 2 me 1.
Goli i tretë për anglezët erdhi në minutën e 38-të me një autogol të Mërgim Vojvodës.
Jadon Sancho shënoi golin e katërt për Anglinë në minutën e 44-të, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë shënoi golin e pestë duke e përmbyllur pjesën e parë të ndeshjes me rezultat 5:1.
Në fillim të pjesës së dytë Valon Berisha shënoi golin e dytë për Kosovën, ndërsa goli i tretë për Kosovën erdhi nga penaltia në minutën e 54-të nga Vedat Muriqi, duke mbyllur ndeshjen me dy gola epërsi për Anglinë.
Kosova e cila është në grupin A, aktualisht është në pozitën e tretë me 8 pikë, pas Anglisë me 12 pikë dhe Çekisë me 9 pikë.