EURO 2020: Maqedonia e Veriut pëson disfatë nga Austria, Kosova mposht Bullgarinë
Austria në Grupin D ngjitet në vendin e tretë, ndërsa Maqedonia e Veriut radhitet e pesta. Kosova në Grupin A është e treta në tabelë, pas Anglisë dhe Republikës Çeke, ndërsa ka lënë prapa Bullgarinë dhe Malin e Zi

Shkup
Në ndeshjet e zhvilluara sonte në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “EURO 2020”, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll ka pësuar disfatë në Shkup nga përfaqësuesja e Austrisë me rezultatin 1:4, ndërkohë Kosova ka arritur fitore kundër Bullgarisë në Sofje me rezultatin 2:3, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ndeshjen e zhvilluar në arenën nacionale “Todor Proeski” në Shkup, të parët në epërsi erdhën nikoqirët përmes autogolit të shënuar nga Hinteregger në minutën e 18-të. Më pas, në minutën e 39-të Lazaro shënoi për Austrinë për të barazuar rezultatin në 1-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, mysafirët dominuan ndeshjen duke shënuar tre gola tjerë. Arnautovic shënoi dy herë: në minutën e 62-të nga penaltia si dhe në minutën e 82-të, ndërsa në minutën e 86-të Bejtulai shënoi një autogol për të sjellë rezultatin përfundimtar në 4-1 në të mirë të Austrisë.
Kjo ishte ndeshja e katërt për të dyja përfaqësueset në kuadër të grupit G. Me këtë fitore, përfaqësuesja e Austrisë ngjitet në vendin e tretë në grup me gjithsej gjashtë pikë, ndërsa Maqedonia e Veriut tani radhitet e pesta me katër pikë të fituara.
Në vendin e parë në këtë grup ndodhet Polonia me 12 pikë, e cila triumfoi me rezultat të thellë 4:0 ndaj Izraelit, i cili radhitet i dyti me 7 pikë të fituara.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Kosovës ka fituar 3 pikë në ndeshjen me Bullgarinë të zhvilluar në Sofje, me rezultatin 2:3.
Golin e parë për Kosovën e shënoi në minutën e 14-të sulmuesi kosovar Rashica. Pavarësisht dominimit të Kosovës në posedimin e topit, Bullgaria barazoi para përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes me golin e Popovit, i cili në minutën e 43-të mbylli pjesën e parë me rezultatin 1:1.
Në pjesën e dytë, vendasit krijuan avantazh në minutën e 55-të nëpërmjet Dimitrovit që shënoi me kokë pas një harkimi nga rivënia këndore. Epërsia e vendasve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 64-të barazimin Kosovës ia solli Muriqi. Pas golit të barazimit Kosova ka vazhduar të luaj në zonën e kundërshtarit me disa raste të humbura, derisa në minutat shtesë të lojës ndryshimin e bëri Rashani me golin që shënoi në minutën e 92-të.
Kosova, e cila bën pjesë në Grupin A, tani është e treta në tabelë, pas Anglisë dhe Republikës Çeke, ndërsa ka lënë prapa Bullgarinë dhe Malin e Zi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.