Sport

Ethet e futbollit përfshijnë Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën, qytetarët ndjekin ndeshjen Kosovë-Turqi

Krahas atyre që kanë arritur të ndjekin ndeshjen nga Stadiumi “Fadil Vokrri”, ndeshja ndërmjet përfaqësueseve të Kosovës dhe Turqisë po ndiqet po ashtu masivisht në ambientet publike dhe private në tri kryeqytetet.

Shpetim Hiseni  | 31.03.2026 - Përdıtësım : 31.03.2026
Ethet e futbollit përfshijnë Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën, qytetarët ndjekin ndeshjen Kosovë-Turqi Foto: Erkin Keçi/AA

Shkup

Një atmosferë e zjarrtë ka përfshirë sot Prishtinën, Shkupin dhe Tiranën, ku mijëra tifozë po e ndjekin me ankth dhe shpresë ndeshjen vendimtare të futbollit mes Kosovës dhe Turqisë, raporton Anadolu.

Krahas atyre që kanë arritur të ndjekin ndeshjen nga Stadiumi “Fadil Vokrri”, ndeshja ndërmjet përfaqësueseve të Kosovës dhe Turqisë po ndiqet po ashtu masivisht në ambientet publike dhe private në tri kryeqytetet. Ky takim sportiv ka grumbulluar një numër të madh qytetarësh të cilët po e përcjellin ecurinë e lojës në forma të organizuara.

Në Prishtinë, përveç transmetimit në lokalet e gastronomisë, autoritetet dhe organizatorët kanë mundësuar ndjekjen e ndeshjes përmes ekranit gjigant në sheshin “Zahir Pajaziti”. Pjesëmarrja është e lartë dhe vërehet një përqendrim i madh i qytetarëve.

Ndërkaq, në Shkup, është bërë një organizim i veçantë në sheshin “Skënderbeu”. Ky lokacion po shërben si pikë qendrore për ndjekjen e ndeshjes në ambient të hapur, ku janë mbledhur qytetarë të shumtë për të parë transmetimin e drejtpërdrejtë.

Në Tiranë, ndjekja e ndeshjes po bëhet kryesisht përmes lokaleve që transmetojnë ngjarje sportive. Ndryshe nga qytetet e tjera ku ka organizime në sheshe, në kryeqytetin e Shqipërisë interesimi është i shpërndarë nëpër ambiente private, ku qytetarët po ndjekin ecurinë e rezultatit në mënyrë më individuale apo në grupe.

Ndryshe, kjo përballje është përcaktuese për fazën “play-off” të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Për Kosovën, ky objektiv përfaqëson mundësinë për kualifikimin e parë në një turne të këtij niveli që nga njohja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kosovës nga FIFA në vitin 2016. Nga ana tjetër, Turqia synon të sigurojë pjesëmarrjen në Botëror për herë të parë pas një periudhe 24-vjeçare, duke qenë se kualifikimi i tyre i fundit daton në vitin 2002.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın