Sport

Challandes: Filozofia nuk është për të fituar, por për të luajtur mirë

"Unë nuk e ndryshoj filozofinë e lojës dhe kjo filozofi nuk është për të fituar, por vetëm për të luajtur mirë", tha trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, para ndeshjes me Çekinë

Agim Sulaj  | 11.11.2019 - Përdıtësım : 11.11.2019
Challandes: Filozofia nuk është për të fituar, por për të luajtur mirë

Prishtinë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka mbajtur një konferencë për media në Prishtinë ku ka folur për ekipin e tij në prag të dy ndeshjeve në kuadër të kualifikimeve të Kampionatit Evropian në futboll 2020 (EURO 2020), raporton Anadolu Agency (AA).

"Me gjasë shumica e njerëzve tani mendojnë se ne duhet të fitojmë dhe vetëm të fitojmë patjetër, nëse nuk fitojmë me ndeshjen e Republikës Çeke gjithçka është e mbaruar. Unë nuk e ndryshoj filozofinë e lojës dhe kjo filozofi nuk është për të fituar, por vetëm për të luajtur mirë", tha Challandes në lidhje me pritjet.

Megjithëkëtë, Challandes thotë se si trajner, dëshirë e tij është për fitore, sado që rezultati për të nuk ka rëndësi.

"Për mua është e qartë, unë jam trajner dhe dua që ta fitojmë ndeshjen. Sa i përket rezultatit konkret, për mua është mjaftueshme edhe një fitore 1 me 0, ose edhe 2 me 0 për ne, nuk është fare problem", shtoi ai.

I pyetur nga AA për gjendjen shëndetësore të sulmuesit Vedat Muriqi, njëherësh lojtar i ekipit turk Fenerbahçe i cili u lëndua në ndeshjen e kësaj të fundit me ekipin Kasımpaşa të premten, tha se Muriqi po bën më mirë ditë pas dite.

Challandes tha se nga një bisedë që ka pasur me sulmuesin, Muriqi i ka thënë se "ka dhimbje, por gjendja e tij është në përmirësim".

Duke folur për zhvillimin e tij si lojtar, trajneri kosovar e pranoi se tek zhvillimi i tij ka pasur ndikim edhe transferimi në ekipin e madh turk, Fenerbahçe.

"Absolutisht se po, ka pasur ndikimi i transferimit të tij tek Fenerbahçe, ka qenë duke luajtur në Rizespor dhe më pas ka marrë shansin për të luajtur në një klub të nivelit goxha më të lartë siç është Fenerbahçe por ai e ka dëshmuar me lojën e tij, me golat e tij që është i gatshëm për të qenë pjesë e nivelit të Fenerbahçes dhe patjetër se ai personalisht por edhe ne jemi shumë të kënaqur me zhvillimin që e ka pasur Vedati gjatë kësaj periudhe", tha Challandes.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll tha se gjendja fizike e lojtarëve në përgjithësi në prag të ndeshjes me Çekinë dhe Anglinë është e mirë, ndërsa po ashtu lojtarët kanë aftësi të lartë mendore.

"Aftësia mendore e lojtarëve tanë është e lartë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse dëshiron të shkosh në raundin final të Kampionatit Evropian, nuk mjafton shpirti luftarak. Sepse, ka diçka më të rëndësishme se kjo, që janë të pasurit e lojtarëve të mirë, lojtarë që luajnë futboll. Mentaliteti i mirë vlen por duhet edhe mentalitet i mirë teknik, kjo do të thotë të luash në sulm, të jesh gati", shtoi ai.

Kosova do të udhëtojë drejt Pragës të enjten për t’u përballur me rivalin e drejtpërdrejt për pozitën e dytë, Çekinë, në një ndeshje pothuajse vendimtare për fatin e dy Kombëtareve.

Tri ditë më vonë, të dielën pasdite, Kosova e pret Anglinë në një takim në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, që mund të jetë finale apo ndeshje prestigji, varësisht rezultatit me Çekinë.

Fitorja kundër Çekisë dhe të paktën një barazim kundër Anglisë apo dështimi i Çekisë kundër Bullgarisë në ndeshjen e fundit, do ta dërgonte Kosovën në Evropian pikërisht në përpjekjen e saj të parë dhe më pak se katër vjet pas pranimit në UEFA dhe FIFA.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.