Atmosferë e zjarrtë në Prishtinë dhe Tiranë, qytetarët ndjekin ndeshjet e Kosovës dhe Shqipërisë
Në të dy kryeqytetet, ekranet e mëdha janë kthyer në pika grumbullimi për tifozët, të cilët po ndjekin me vëmendje çdo aksion të ndeshjeve.
Prishtinë
PRISHTINË/TIRANË (AA) – Atmosferë e zjarrtë po mbretëron mbrëmjen e sotme në Prishtinë dhe Tiranë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur nëpër hapësira publike, kafe dhe restorante për të ndjekur ndeshjet e Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër të fazës së play-off-it për kualifikimet në Botërorin 2026, raporton Anadolu.
Në të dy kryeqytetet, ekranet e mëdha janë kthyer në pika grumbullimi për tifozët, të cilët po ndjekin me vëmendje çdo aksion të ndeshjeve, duke reaguar me entuziazëm ndaj rasteve dhe momenteve të rëndësishme në fushën e gjelbër.
Në Prishtinë, përpos hapësirave të mbyllura, qindra qytetarë u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” për të ndjekur ndeshjen pranë një ekrani të madh nën qiell të hapur. Shumë nga ta erdhën të veshur me ngjyrat e kombëtares, derisa brohoritjet dhe thirrjet mbështetëse dëgjoheshin edhe nëpër pjesë të ndryshme të qytetit.
Atmosferë e ngjashme po mbizotëron edhe në Tiranë, ku tifozët janë mbledhur në grupe për të përjetuar së bashku emocionet e përballjes në fazën ku çdo gabim mund të kushtojë me eliminim direkt.
Pavarësisht presionit të ndeshjeve vendimtare, mbështetja për ekipet kombëtare mbetet e fortë, me shpresën se paraqitjet në këtë fazë do t’i afrojnë Kosovën dhe Shqipërinë më pranë sigurimit të një vendi në turneun më të madh të futbollit botëror gjatë kësaj vere.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
