Andres Iniesta në moshën 39 vjeç nënshkruan me Emirates Club
"Mirë se erdhe Iniesta", shkroi klubi i Emirateve të Bashkuara në profilin zyrtar në rrjetin social

Istanbul
Futbollisti spanjoll, Andres Iniesta, i cili së fundmi u largua nga klubi japonez Vissel Kobe, në moshën 39-vjeçare nënshkroi për Emirates Club nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga klubi i EBA-së thuhet se Iniesta, ish-lojtari i kombëtares së Spanjës dhe mesfushori i Barcelonës është transferuar në Emirates Club.
"Mirë se erdhe Iniesta", shkroi klubi në profilin zyrtar në rrjetin social.
Pasi fitoi nëntë tituj të ligës dhe katër tituj të Ligës së Kampionëve me Barcelonën, Iniesta nënshkroi me Vissel Kobe në 2018 dhe rinovoi kontratën e tij dyvjeçare në 2021.
Gjatë epokës së Iniestës, Vissel Kobe garoi në Ligën e Kampionëve të Konfederatës së Futbollit Aziatik (AFC) për herë të parë vitin e kaluar dhe fitoi Kupën e Perandorit të Japonisë 2019 dhe Superkupën e Japonisë 2020.
Ylli 39-vjeçar i futbollit ka marrë pjesë në katër Kupa Botërore me Spanjën në karrierën e tij ndërsa në vitin 2010 e ngriti trofeun e FIFA-s në Afrikën e Jugut.