Shëndetësi

Studim: Një mutacion i rrallë gjenetik mund të mundësojë imunitet pothuajse të përgjithshëm ndaj viruseve

Një mutacion i rrallë gjenetik është rikrijuar në kafshë laboratorike, duke rritur shpresat se një ditë mund të përdoret si terapi

İlayda Çakırtekin  | 20.08.2025 - Përdıtësım : 20.08.2025
Studim: Një mutacion i rrallë gjenetik mund të mundësojë imunitet pothuajse të përgjithshëm ndaj viruseve

Stamboll

Një studim i kohëve të fundit i botuar në revistën "Science Translational Medicine" zbuloi se rikrijimi i një mutacioni të rrallë gjenetik mund të mundësojë imunitet pothuajse të përgjithshëm ndaj viruseve, raportoi "Science Alert", transmeton Anadolu.

Një mutacion i rrallë gjenetik, një mangësi në gjenin 15 të stimuluar nga interferoni (ISG15) që duket se i bën njerëzit pothuajse të paprekshëm ndaj viruseve, është rikrijuar në kafshë laboratorike, duke rritur shpresat se një ditë mund të përdoret si terapi.

Njerëzit me mungesë të ISG15 përjetojnë inflamacion të lehtë dhe të vazhdueshëm, por proteinat e tyre që luftojnë virusin mbeten vazhdimisht aktive. Pavarësisht ekspozimit ndaj infeksioneve të zakonshme si gripi, fruthi dhe variçela, ata raportojnë vetëm simptoma të lehta.

"Në thellësi të mendjes sime, vazhdoja të mendoja se nëse mund të prodhonim këtë lloj aktivizimi imunitar të lehtë tek njerëzit e tjerë, mund t'i mbronim ata nga pothuajse çdo virus", tha imunologu i Universitetit të Kolumbias, Dusan Bogunovic, i cili e zbuloi për herë të parë fenomenin 13 vjet më parë.

Bogunovic dhe kolegët e tij kanë përdorur teknologji të ngjashme me vaksinat mRNA për të siguruar një mungesë të përkohshme të ISG15 te kafshët laboratorike.

Trupat e minjve dhe hamsterëve të cilëve iu nënshtrua trajtimit krijuan 10 proteina kyçe me efekte antivirale që bllokuan infeksionet në faza të shumëfishta.

Të infektuara më tej me SARS-CoV-2, proteinat e kafshëve të vaksinuara e kufizuan infeksionin, por nuk ndërhynë në pjesën tjetër të sistemit imunitar të kafshëve.

"Ne gjenerojmë vetëm një sasi të vogël të këtyre 10 proteinave, për një kohë shumë të shkurtër, dhe kjo çon në shumë më pak inflamacion sesa ajo që shohim te individët me mungesë të ISG15", shpjegoi Bogunovic, duke nënvizuar se inflamacioni është "i mjaftueshëm" për të parandaluar sëmundjet virale.

Edhe pse efekti mbrojtës zgjati deri në katër ditë, ai potencialisht mund të ofrojë mbrojtje afatshkurtër për punonjësit e kujdesit shëndetësor përpara se të jenë në dispozicion vaksina specifike.

Teknika mund të forcojë përgjigjet ndaj pandemive të ardhshme si COVID-19 ose Gripi Spanjoll, por mbetet në fazën e testimit të hershëm me pengesa të mëdha në shpërndarjen e sigurt të mRNA-së aty ku është e nevojshme tek njerëzit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın