Shëndetësi, Shkencë dhe Teknologji

Studim: Mikroplastika gjendet tek 9 nga 10 burra të diagnostikuar me kancer të prostatës

Grimca mikroplastike të zbuluara në 90 për qind të mostrave të indeve kancerogjene dhe 70 për qind të mostrave jo kancerogjene, sipas studiuesve në NYU Langone Health

Berk Kutay Gökmen  | 25.02.2026 - Përdıtësım : 26.02.2026
Studim: Mikroplastika gjendet tek 9 nga 10 burra të diagnostikuar me kancer të prostatës

Stamboll

Një studim i ri zbuloi grimca mikroplastike tek 9 nga 10 burra të diagnostikuar me kancer të prostatës, njoftoi sot "Science Daily", transmeton Anadolu.

Studimi u realizua në një nga qendrat kryesore akademike mjekësore të SHBA-së, NYU Langone Health, duke përfshirë Qendrën e saj kundër kancerit Perlmutter dhe Qendrën për hetimin e rreziqeve mjedisore.

Hulumtuesit donin të dinin nëse ekspozimi ndaj mikroplastikës mund të kontribuonte në zhvillimin e kancerit të prostatës, të cilin Shoqata Amerikane e Kancerit e përshkruan si kancerin më të diagnostikuar tek burrat në SHBA.

Plastikat e gjetura në paketimin e ushqimit, kozmetikës dhe shumë artikujve të përditshëm mund të degradojnë në grimca të vogla. Këto fragmente mikroskopike mund të hyjnë në trup përmes gëlltitjes, thithjes së ajrit të ndotur ose kontaktit me lëkurën.

Ekipi analizoi mostrat e indeve të prostatës nga 10 burra që iu nënshtruan një operacioni për të hequr gjëndrën e prostatës. Grimcat mikroplastike u zbuluan në 90 për qind të mostrave të indeve kanceroze dhe 70 për qind të mostrave jo kanceroze.

Diferenca në përqendrim ishte e konsiderueshme: indet tumorale përmbanin afërsisht 2.5 herë më shumë plastikë sesa indet e shëndetshme, rreth 40 mikrogramë për gram krahasuar me 16 mikrogramë për gram.

"Studimi ynë pilot ofron prova të rëndësishme se ekspozimi ndaj mikroplastikës mund të jetë një faktor rreziku për kancerin e prostatës", tha autorja kryesore Stacy Loeb, profesoreshë në Departamentet e Urologjisë dhe Shëndetit të Popullsisë në Shkollën e Mjekësisë Grossman të NYU-së.

Loeb theksoi se ky është studimi i parë i kryer në një popullsi perëndimore për të përcaktuar nivelet e mikroplastikës në tumoret e prostatës dhe për t'i krahasuar ato drejtpërdrejt me nivelet e gjetura në indet jo kanceroze të prostatës.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afërsisht një në tetë burra në SHBA do të marrin një diagnozë të kancerit të prostatës gjatë jetës së tyre.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın