Studim: Ecjet e gjata ditore mund të jenë më të shëndetshme se ato të shkurtra
Studiuesit theksuan mundësinë që njerëzit që ecin për më shumë se 15 minuta mund të kenë një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare sesa ata që arrijnë të njëjtin numër hapash me ecje më të shkurtra, por të shpeshta.
Ankara
Studiuesit kanë bërë të ditur se njerëzit që bëjnë ecje të gjata mund të kenë një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare krahasuar me ata që bëjnë të njëjtin numër hapash me ecje të shkurtra, por të shpeshta, transmeton Anadolu.
Revista "Annals of Internal Medicine" paraqiti një studim mbi efektet e rutinës së ecjes në sëmundjet kardiovaskulare.
Në studimin e kryer me 33.560 persona të moshës 40 deri në 79 vjeç që bënin më pak se 8.000 hapa në ditë, u ndanë në grupe sipas gjatësisë së ecjeve të tyre.
Studiuesit monitoruan shëndetin e këtyre individëve për rreth nëntë vjet, duke kategorizuar kohëzgjatjen e ecjes së tyre si 5 minuta, 5 deri në 10 minuta, 10 deri në 15 minuta dhe më shumë se 15 minuta.
Sipas kësaj, studiuesit theksuan mundësinë që njerëzit që ecin për më shumë se 15 minuta mund të kenë një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare sesa ata që arrijnë të njëjtin numër hapash me ecje më të shkurtra, por të shpeshta.
"Nuk po themi që shëtitjet e shkurtra nuk funksionojnë. Thjesht arritja e numrit të hapave të përditshëm me një shëtitje më të gjatë mund të jetë më e mirë", tha Borja del Pozo Cruz, një nga studiuesit.
Nga ana tjetër, disa ekspertë të tjerë theksuan se rezultatet mund të mos jenë përfundimtare, duke kritikuar faktin se shëndeti dhe etnia e pjesëmarrësve në fillim të studimit, si dhe rutina e tyre e ecjes, mund të kenë ndryshuar me kalimin e viteve.
Profesori Kevin McConway, nga Universiteti Open në Mbretërinë e Bashkuar, tha se hulumtimi sugjeronte një lidhje midis ecjes dhe shëndetit të zemrës, por argumentoi se ecja nuk ishte provuar të shkaktonte drejtpërdrejt përmirësim.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
