Bota, Shëndetësi

Rreziku i padukshëm, njerëzit mund të thithin dhjetëra mijëra grimca mikroplastike në ditë

- Në matjet e bëra u gjetën mesatarisht 528 grimca për metër kub mikroplastikë në mostrat e ajrit brenda shtëpive ndërsa 2.238 grimca për metër kub në mostrat e automjeteve

Nuri Aydın  | 31.07.2025 - Përdıtësım : 01.08.2025
Rreziku i padukshëm, njerëzit mund të thithin dhjetëra mijëra grimca mikroplastike në ditë

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Një studim i ri i zhvilluar në Francë ka zbuluar se njerëzit mund të gëlltisin dhe thithin mesatarisht 68 mijë grimca mikroplastike në ditë, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të "The Hill", një studim i kryer nga studiues në Universitetin e Toulouse në Francë dhe Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS) dhe i botuar në revistën "PLOS One" zbuloi se njerëzit thithin shumë më tepër grimca mikroplastike në jetën e tyre të përditshme sesa mendojnë.

Në këtë drejtim, shkencëtarët mblodhën mostra të ndryshme ajri nga shtëpi dhe makina të shumta dhe matën përqendrimin e mikroplastikës në këto vende.

Në matjet e bëra duke përdorur një metodë të quajtur spektroskopia Raman, u gjetën mesatarisht 528 grimca për metër kub mikroplastikë në mostrat e ajrit brenda shtëpive, ndërsa 2.238 grimca për metër kub në mostrat e automjeteve.

Studimi bëri të ditur se njerëzit mund të thithin mesatarisht 68 mijë grimca mikroplastike, që variojnë në madhësi nga 1 deri në 10 mikrometra, në ditë, që është 100 herë më shumë se sasia që mendohej që njerëzit thithin sipas gjetjeve të studimeve të mëparshme.

Shkencëtarët tërhoqën vëmendjen se shumica e grimcave të thithura janë shumë të vogla për t'u parë me sy dhe për këtë arsye mund të arrijnë në mushkëri pa u vënë re. Studiuesit kanë paralajmëruar se mijëra grimca mikroplastike që thithen çdo ditë mund të lëshojnë substanca toksike në mushkëri, të përzihen me gjakun dhe të shkaktojnë shumë sëmundje.

Studiuesit theksuan se automjetet janë të prirura për më shumë akumulim të mikroplastikës për shkak të ajrosjes së kufizuar dhe se sasia e ekspozimit ndaj mikroplastikës mund të rritet gjatë udhëtimeve të gjata.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın