OBSH-ja njofton se ka marrë fund epidemia e fundit e virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus
Geneve
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të hënën fundin e shpërthimit më të fundit të sëmundjes së virusit Ebola në Republikën Demokratike të Kongos (RDK), duke e quajtur atë "lajm të mirë", transmeton Anadolu.
Duke përgëzuar qeverinë dhe popullin e vendit, veçanërisht në komunitetin e prekur të Bulape, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha në një konferencë për shtyp në Gjenevë se shpërthimi, i shpallur në shtator, regjistroi 64 raste të konfirmuara dhe të mundshme, përfshirë 45 vdekje.
"Ne nderojmë kujtimin e atyre që vdiqën, veçanërisht atyre që humbën jetën duke u shërbyer të tjerëve", tha Tedros.
Ai shtoi se OBSH-ja është "krenare që ka luajtur rolin e saj në vënien nën kontroll të këtij shpërthimi", duke punuar së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, institucionet kombëtare dhe partnerët.
Duke reflektuar mbi progresin global, shefi i OBSH-së vuri në dukje se një dekadë më parë "nuk kishte vaksina ose terapi të miratuara" kundër Ebolës, ndërsa sot sëmundja është "një sëmundje e parandalueshme dhe e shërueshme që mund të ndalet".
Megjithatë, ai paralajmëroi se një tjetër virus vdekjeprurës po përhapet tani në rajon. "Edhe pse Ebola është ndaluar në RDK, një shpërthim i sëmundjes së virusit Marburg u shpall në Etiopi më shumë se dy javë më parë", tha ai.
Deri më tani, Etiopia ka raportuar 12 raste të konfirmuara, përfshirë tetë vdekje të lidhura, sipas OBSH-së. Tre pacientë janë shëruar ndërsa një mbetet nën trajtim. Shefi i OBSH-së tha se qeveria etiopiane po udhëheq reagimin dhe se OBSH-ja po mbështet sipas kërkesës.
Agjencia shëndetësore e OKB-së, tha ai, po siguron furnizime testimi, pajisje mbrojtëse për punonjësit e shëndetësisë dhe po vendos ekspertë për të ndihmuar autoritetet lokale ndërsa ato punojnë për të përmbajtur shpërthimin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
