Një e treta e popullsisë botërore jeton aty ku nxehtësia kufizon rëndë aktivitetin e përditshëm
Sipas raportit, pjesë të Azisë, Afrikës, Australisë dhe Amerikës së Veriut po bëhen "të pajetueshme" për personat e moshuar
Ankara
Një raport i publikuar rishtazi ka treguar se afërsisht një e treta e popullsisë së botës jeton në zona ku nxehtësia ekstreme kufizon rëndë aktivitetin e përditshëm fizik, transmeton Anadolu.
Studimi i botuar në revistën "Environmental Research Health", analizon të dhënat e temperaturës dhe lagështisë që shtrihen nga viti 1950 deri në vitin 2024. Sipas analizës, personat e moshës 65-vjeç e lart përballen me vështirësi të konsiderueshme në kryerjen e detyrave rutinë për shkak të nxehtësisë ekstreme, veçanërisht gjatë muajve të caktuar të vitit.
Sipas raportit, pjesë të Azisë, Afrikës, Australisë dhe Amerikës së Veriut po bëhen "të pajetueshme" për personat e moshuar.
Nxehtësia ekstreme kufizon rëndë aktivitetin e sigurt në natyrë për ata të moshës 65-vjeç e lart me një mesatare prej 900 orësh në vit, krahasuar me afërsisht 600 orë në vit në vitin 1950, thuhet në raport.
Raporti thekson nevojën urgjente për masa për të zvogëluar faktorët kryesorë të ngrohjes globale, përfshirë naftën, gazin natyror dhe qymyrin.
