Kina mbështet me 3.49 milionë dollarë përpjekjet për parandalimin e HIV-it në Afrikën e Jugut
Iniciativa dyvjeçare synon të arrijë 54 mijë adoleshentë dhe të rinj
Istanbul
STAMBOLL (AA) - Kina do të ndajë 3.49 milionë dollarë në fonde dyvjeçare për të mbështetur përpjekjet për parandalimin e HIV-it në Afrikën e Jugut, njoftoi agjencia shtetërore "Xinhua News", transmeton Anadolu.
Marrëveshja e organizuar nga UNAIDS u njoftua në një ceremoni në ambasadën kineze në Pretoria, kryeqytetin administrativ të Afrikës së Jugut.
Afrika e Jugut, shtëpia e rreth 8 milionë njerëzve që jetojnë me HIV dhe gati 6 milionë që marrin trajtim antiretroviral, i ka dhënë përparësi reduktimit të infeksioneve të reja, veçanërisht midis grupeve me rrezik të lartë si adoleshentët dhe të rinjtë.
Drejtoresha ekzekutive e UNAIDS-it, Winnie Byanyima tha se investimi pasqyron mbështetjen e Kinës për bashkëpunimin shumëpalësh dhe partneritetet "Jug-Jug".
"Kjo tregon angazhimin shumëpalësh të Kinës dhe avancimit të bashkëpunimit 'Jug-Jug', përmes ndarjes së teknologjisë, inovacionit dhe financimit me grante në ndjekjen tonë të mbulimit shëndetësor universal dhe qëllimit për t'i dhënë fund AIDS-it deri në vitin 2030", tha ajo.
Ambasadori kinez në Afrikën e Jugut, Wu Peng tha se projekti përfaqëson përparim konkret në kuadër të Iniciativës Globale për Zhvillim dhe kontribuon në ndërtimin e një "komuniteti global shëndetësor për të gjithë".
"Kina qëndron fort me Afrikën e Jugut ndërsa ajo forcon programet e saj të parandalimit dhe trajtimit të HIV-it. Përveç këtij projekti, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Afrikën e Jugut në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të reagimit ndaj HIV/AIDS-it përmes dialogut politik", shtoi ai.
Iniciativa dyvjeçare pritet të mbështesë programet e parandalimit të HIV-it që arrijnë në 54 mijë adoleshentë dhe të rinj.
