Ekspertja turke: Konsumi i tepërt i kripës kërcënon shëndetin e enëve të gjakut
"Veçanërisht kripa e fshehur në ushqimet e gatshme dhe të përpunuara futet në trup në mënyrë të pakontrolluar, duke përshpejtuar zhvillimin e hipertensionit në periudhë afatgjatë", thotë Dr. Semiha Ayaydın Kaplan

Stamboll
Konsumimi i lartë i kripës çon në hipertension dhe ndikon negativisht jo vetëm në shijen e gojës, por edhe në shëndetin e enëve të gjakut, thotë ekspertja nga Turqia Dr. Semiha Ayaydın Kaplan, raporton Anadolu.
Në Turqi, një në tre të rritur vuan nga hipertensioni. Edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) rekomandon një konsum maksimal ditor prej 5 gramësh kripë (rreth një lugë çaji), në Turqi kjo sasi është mesatarisht dy herë më e lartë, thuhet në një deklaratë nga "Grupi Shëndetësor Medicana".
Kaplan, pjesëtare e Repartit të Sëmundjeve Interne në këtë spital, thotë se kripa e tepërt shkakton mbajtjen e ujit në trup, gjë që rrit vëllimin e gjakut dhe për rrjedhojë tensionin e gjakut.
Ajo paralajmëron se kripa ndodhet e fshehur në shumë ushqime të përpunuara.
"Kripa nuk lë gjurmë vetëm në shije, por edhe në enët e gjakut. Veçanërisht kripa e fshehur në ushqimet e gatshme dhe të përpunuara futet në trup në mënyrë të pakontrolluar, duke përshpejtuar zhvillimin e hipertensionit në periudhë afatgjatë", thotë Kaplan.
Sipas saj, efektet e konsumimit të tepërt të kripës nuk kufizohen vetëm me hipertensionin.
"Konsumimi i tepërt i kripës rrit mbajtjen e ujit në trup, duke shkaktuar ënjtje në këmbë, duar dhe shputa. Gjithashtu, rrit ngarkesën mbi veshkat dhe me kalimin e kohës mund të çojë në dëmtimin e funksionit të tyre apo edhe në dështim të veshkave. Ndërkaq, zemra, përballë rritjes së vëllimit të gjakut dhe rezistencës në enët e gjakut, detyrohet të punojë më shumë, çka mund të shkaktojë lodhje të zemrës dhe rrezik për insuficiencë kardiake. Edhe shëndeti i kockave ndikohet negativisht, pasi kripa e tepërt rrit largimin e kalciumit nga trupi, duke rritur rrezikun për osteoporozë. Është e njohur gjithashtu që kripa mund të irritojë mukozën e stomakut dhe të shkaktojë probleme si refluks dhe gastrit", shpjegon Kaplan.
Kaplan theksoi se ulja e konsumimit të kripës mund të përmirësojë dukshëm gjendjen e përgjithshme shëndetësore dhe rekomandoi shmangien e vendosjes së kripores në tryezë, përdorimin e kontrolluar të kripës gjatë gatimit dhe zëvendësimin e saj me erëza alternative për shije.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e leximit të etiketave në produktet e paketuara dhe të gatshme: "Përqindja e natriumit në këto produkte mund të jetë shumë më e lartë sesa mendohet. Të gatuash në shtëpi dhe të bësh zgjedhje të ndërgjegjshme për sasinë e kripës në ushqimet jashtë shtëpisë janë mënyra efektive për të ulur konsumimin e kripës".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.