YouTube zgjeron mbrojtjet e mundësuara nga inteligjenca artificiale për përdoruesit adoleshentë në SHBA
- Teknologjia e re e inteligjencës artificiale (AI) do të vlerësojë sjelljen e përdoruesit, duke përfshirë kategoritë e videove, modelet e kërkimit dhe jetëgjatësinë e llogarisë, për të përcaktuar nëse një përdorues është nën 18-vjeç

Ankara
ANKARA (AA) - YouTube ka njoftuar se do të fillojë të lançojë një sistem vlerësimi të moshës bazuar në të mësuarit automatik në SHBA gjatë javëve të ardhshme, me qëllim që të ofrojë mbrojtje më të përshtatura për përdoruesit adoleshentë, transmeton Anadolu.
Teknologjia e re e inteligjencës artificiale (AI) do të vlerësojë sjelljen e përdoruesit, duke përfshirë kategoritë e videove, modelet e kërkimit dhe jetëgjatësinë e llogarisë, për të përcaktuar nëse një përdorues është nën 18-vjeç, pavarësisht nga datëlindja e listuar në llogari, sipas një postimi në blog nga kompania.
"Kur sistemi identifikon një përdorues adoleshent, ne automatikisht do të zbatojmë përvojat dhe mbrojtjet tona të përshtatshme për moshën", deklaroi YouTube, duke renditur veçori të tilla si çaktivizimi i reklamave të personalizuara, aktivizimi i mjeteve të mirëqenies digjitale dhe mbrojtjet kundër rekomandimeve të përmbajtjes së përsëritur.
Nëse përdoruesit klasifikohen gabimisht si të mitur, ata do të jenë në gjendje të verifikojnë moshën e tyre përmes dokumentacionit zyrtar ose një karte krediti.
Sistemi i ri, i cili ndërtohet mbi iniciativat e mëparshme të YouTube si YouTube Kids dhe llogaritë e mbikëqyrura, është përdorur tashmë në tregje të tjera të paspecifikuara.
Kompania tha se do ta monitorojë nga afër zhvillimet në lidhje me zbatimin e ri në SHBA përpara se ta zgjerojë më tej.
"Jemi krenarë që jemi përsëri në ballë të prezantimit të teknologjisë që na lejon të ofrojmë mbrojtje të sigurisë duke ruajtur privatësinë e adoleshentëve", deklaroi YouTube.
Vetëm përdoruesit për të cilët do të supozohet ose do të verifikohen se janë mbi 18-vjeç do të lejohen të hyjnë në përmbajtje të kufizuar sipas moshës që konsiderohet e papërshtatshme për audiencat më të reja.
YouTube konfirmoi se do të bashkëpunojë me krijuesit e përmbajtjes dhe do të monitorojë përvojën e përdoruesit gjatë gjithë procesit të lançimit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.