Shkencë dhe Teknologji, BALLKANI

"Turqia është bërë një furnizues lider në fusha të ndryshme"

Në takimin e organizuar në formatin B2B ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük si dhe drejtues dhe përfaqësues të dhomave dhe kompanive të sektorit përkatës

Fatjon Cuka  | 16.05.2022 - Përdıtësım : 17.05.2022
"Turqia është bërë një furnizues lider në fusha të ndryshme" Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në Shqipëri është mbajtur takimi me fokus tregtinë mes kompanive turke të sektorit të energjisë dhe elektro-teknologjisë dhe sipërmarrjeve homologe nga Shqipëria, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e organizuar në formatin B2B ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtues të Shoqatës së Eksportuesve të Elektro - Teknologjisë Turke (TET), përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, si dhe përfaqësues të dhjetëra kompanive të ndryshme nga Turqia dhe Shqipëria.

Hapjen e takimit e përshëndeti ambasadori Yörük, i cili theksoi se shpreson që takimi të hapë dritare të reja mundësish në sektorin e pajisjeve elektrike dhe elektronike midis Turqisë dhe Shqipërisë.

"Shqipëria është një vend mik dhe vëlla me të cilin ne kemi raporte dhe marrëdhënie të rrënjosura politike, ekonomike, kulturore dhe humane në raport me vendet e tjera të Ballkanit, të cilin ne e konsiderojmë si zemrën tonë. Në dy vitet e fundit, edhe pse në kushte pandemie marrëdhëniet tona kanë shënuar një progres të madh në shumë fusha dhe njëkohësisht janë bërë shumë vizita të ndërsjella të nivelit të lartë. Në fakt, marrëdhëniet tona dypalëshe arritën në nivelin e partneritetit strategjik me vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në vendin tonë në janar 2021, e cila ishte një nga këto vizitat e nivelit të larte dhe që theksoi se tashme 'Shqipëria është Partnere Strategjike e Turqisë'", tha Yörük.

"Kemi rritur vëllimin tonë të tregtisë Turqi-Shqipëri në mbi 850 milionë dollarë"

Ambasadori Yörük shtoi se marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë në fushën e tregtisë, ekonomisë dhe investimeve nga pikëpamja e aspektit të investimeve, përbëjnë një nga drejtimet më të rëndësishme të këtij partneriteti strategjik.

"Në vitin 2017, vëllimi i tregtisë Turqi-Shqipëri arriti 410 milionë dollarë. Kemi shënuar një rritje një qind për qind në vetëm në katër vitet e fundit. Pavarësisht të gjitha llojeve të vështirësive, të sfidave, në vitin 2021, ne kemi rritur vëllimin tonë të tregtisë Turqi-Shqipëri në mbi 850 milionë dollarë. Siç e theksoi Presidenti ynë gjatë vizitës së tij në zyrtare Shqipëri në janar 2022, vëllimi ynë tregtar është një nga synimet më parësore tona për ta rritur atë në 1 miliard dollarë dhe njëkohësisht do ta rrisim në përputhje me raportet miqësore dhe vëllazërore", tha ambasadori turk.

Ambasadori turk tha se shpresojnë që në vitin 2023, kur të shënojnë edhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, "do të kalojmë objektivin 1 miliard dollarësh dhe do të përpiqemi ta ngremë këtë vëllim në 5 miliardë dollarë".

"Ne faktikisht jemi një nga partnerët tregtarë më të rëndësishëm të Shqipërisë, që operojmë në Shqipëri me më shumë se 600 kompanitë tona turke. Investimet tona arrijnë deri në 3,5 miliardë dollarë. Me këto investime ne ofrojmë punësim për rreth 15 mijë vëllezër shqiptarë", tha Yörük.

Turqia është bërë një furnizues lider në fusha të ndryshme

Anëtari i Bordit të TET, Armağan Şakar, tha se janë në Shqipëri me një delegacion biznesi prej 24 personash nga 15 kompani turke të njohura në fushat e tyre.

Şakar tha se anëtarët e TET janë të gatshëm të bashkëpunojnë me kompanitë shqiptare në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve në fusha të tilla si elektroshtëpiake, pajisje ndriçimi, gjeneratorë, transformatorë, kabllo, komponentë elektrike dhe elektronike.

"Sektori elektrik dhe elektronik përbën 6,3 për qind të totalit të eksporteve të Turqisë dhe është sektori i 5-të më i madh i vendit. 69 për qind e totalit të eksporteve tona prej 14,4 miliardë dollarësh janë bërë drejt Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera të Evropës. Duke përmbushur standardet më të larta të cilësisë të kërkuara nga vendet evropiane, Turqia është bërë një furnizues lider në fusha të ndryshme", tha ai.

Ai shtoi se synojnë jo vetëm të rrisin volumin e eksporteve, por edhe të bashkëpunojnë dhe të kërkojnë mundësi investimi.

Albana Laknori, sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (CCIT), tha se takimi realizohet me synimin për të nxitur dhe rritur më tej prezencën e investimeve turke në Shqipëri dhe për një vëmendje specifike për investime konkrete në industrinë elektro-teknologjike në Shqipëri

Të pranishmit i përshëndeti edhe presidenti i Klik Ekspo Group & Tirana International Fair, Luan Muhametaj, i cili falënderoi institucionet turke dhe shoqatat e biznesit për organizimin e takimit dhe bashkëpunimit.

Në kuadër të aktivitetit u organizuan takime individuale mes kompanive dhe shoqatave pjesëmarrëse, në lidhje me rritjen e bashkëpunimit mes tyre dhe eksplorimit të mundësive të investimeve.

Aktiviteti u organizua nga zyra e Klik Ekspo Group and Tirana International Fair dhe Shoqata e Eksportuesve të Elektro - Teknologjisë Turke (TET), me mbështetjen e Ministrisë turke të Tregtisë, Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO) dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın