Shkencë dhe Teknologji

Turqia po zhvillon punë intensive për eksportin më të madh të mjeteve të blinduara

Otokar, një nga prodhuesit kryesorë të automjeteve të blinduara tokësore në industrinë turke të mbrojtjes, po kryen punime për prodhimin dhe dorëzimin e 1.059 automjeteve COBRA II 4x4 sipas një kontrate

Göksel Yıldırım  | 05.11.2025 - Përdıtësım : 05.11.2025
Turqia po zhvillon punë intensive për eksportin më të madh të mjeteve të blinduara

Ankara

GOKSEL YILDIRIM

Po bëhen përpjekje intensive për eksportin më të madh të automjeteve të blinduara të industrisë turke të mbrojtjes, me një vlerë prej 857 milionë eurosh, raporton Anadolu.

Otokar, një nga prodhuesit kryesorë të automjeteve të blinduara tokësore në industrinë turke të mbrojtjes, po kryen punime për prodhimin dhe dorëzimin e 1.059 automjeteve COBRA II 4x4 sipas një kontrate.

Sipas kontratës, automjete në 10 variante të ndryshme do të prodhohen dhe dorëzohen gjatë një periudhe pesëvjeçare. 278 automjetet e para do të prodhohen në Turqi, ndërsa pjesa tjetër në Rumani. Nënsistemet e blera nga prodhuesit vendas do të integrohen në automjetet që do të prodhohen në Turqi. Në fazën tjetër të kontratës, automjetet COBRA II do të prodhohen jashtë vendit për herë të parë.

Përpjekjet e Otokar sipas kontratës kanë ndikuar gjithashtu në operacionet e kompanisë. Ndërsa 94 automjete ushtarake u prodhuan në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, ky numër u rrit me 128 për qind duke arritur në 224 në të njëjtën periudhë të këtij viti. Shitjet gjithashtu u rritën me 55 për qind gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në 133.

Gjatë kësaj periudhe, të ardhurat nga automjetet e industrisë mbrojtëse pothuajse u dyfishuan. Të ardhurat u rritën nga 2,732 miliardë lira në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar në 5,303 miliardë lira.

Ndëekohë, 97 për qind e të ardhurave të kompanisë nga industria e mbrojtjes erdhën nga aktivitetet e eksportit.

Kontrata prej 857 milionë eurosh nga Rumania dha një kontribut të rëndësishëm në numrin e porosive të prapambetura për vitet në vijim.

Me investimin e bërë në Rumani në përputhje me kontratën, u fitua një kapacitet i konsiderueshëm prodhimi vendas edhe në Evropë.

Kontrata rumune mbulon 10 variante të ndryshme, duke përfshirë një transportues personeli, një automjet zbulues, një sistem armësh me telekomandë për transportues personeli, një automjet antitank, një automjet komandues antitank, një transportues mortajash 120 mm, një transportues mortajash 81 mm, një automjet inxhinierik, një automjet zbulues CBRN dhe një ambulancë.

Rumania do të jetë vendi i 9-të në Evropë që do të përdorë zgjidhjet e industrisë mbrojtëse të Otokar.

Otokar prodhon lloje të ndryshme të automjeteve të blinduara taktike me rrota dhe me zinxhirë, si dhe sistemeve të kullave për industrinë e mbrojtjes. Deri më sot, kompania ka furnizuar më shumë se 33.000 automjete ushtarake, të cilat përdoren në mënyrë aktive nga më shumë se 70 përdorues në më shumë se 40 vende. Këto automjete kanë provuar performancën e tyre në fushën e betejës në vendet anëtare të NATO-s.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.