Piaggio planifikon rritje të ndjeshme të prodhimit nën pronësinë e prodhuesit turk të dronëve Baykar
Baykar angazhohet për investime të reja, përditësime të reja, duke i bërë avionët përsëri tërheqës, tha Haluk Bayraktar, kryetar i bordit të Piaggio Aerospace dhe Drejtor i Përgjithshëm i Baykar
Ankara
Kompania italiane e aviacionit Piaggio Aerospace, e cila po i nënshtrohet ristrukturimit pas blerjes së saj nga prodhuesi turk i mjeteve ajrore pa pilot (UAV) Baykar, do të rrisë kapacitetin e prodhimit të avionëve me pesë deri në gjashtë herë përmes investimeve të reja dhe do të zgjerojë aftësitë e saj të mirëmbajtjes, riparimit dhe motorëve, tha kryetari i kompanisë, raporton Anadolu.
Haluk Bayraktar, kryetar i bordit të Piaggio Aerospace dhe Drejtor i Përgjithshëm i Baykar, në një njoftim për shtyp tha se kompania, me historinë e saj 140-vjeçare, ka ndërtuar avionë të panumërt brenda industrisë italiane të aviacionit, duke deklaruar: "Kjo është një trashëgimi shumë e rëndësishme për Baykar".
"Kombinimi i teknologjive tona me Piaggio ofroi një avantazh dhe potencial unik për të bashkuar pikat e forta të Turqisë dhe Italisë", theksoi ai.
Bayraktar tha se Piaggio operon dy objekte, një për prodhimin e avionëve të saj të transportit të lehtë P180 dhe tjetrin për prodhimin e pjesëve të motorëve dhe kryerjen e mirëmbajtjes së motorëve.
"Me të gjitha aftësitë dhe ekspertizën, ajo ka një avion shumë unik. Është avioni më i shpejtë turbohelikë në botë dhe ka një dizajn unik. Kur pajisjet, aftësitë, talentet, trashëgimia dhe emri i markës së Piaggio-s kombinohen me inovacionet e reja të Baykar në fushën e UAV-ve, ne shohim një të ardhme të ndritur", tha ai.
Bayraktar tha se P180 është një avion i veçantë dhe se kapaciteti i prodhimit ka mbetur i ulët vitet e fundit, por se Baykar synon të ringjallë operacionet dhe të rrisë prodhimin.
Piaggio aktualisht prodhon rreth katër deri në pesë avionë në vit, por kjo shifër do të rritet vitin e ardhshëm, tha ai.
Sipas tij, prodhimi i P180 Avanti do të rritet në 25 deri në 30 avionë në vit, duke shtuar se pajisjet ekzistuese, konfigurimi i prodhimit dhe zinxhirët e furnizimit lejojnë një kapacitet të tillë.
Bayraktar shtoi: "Si Baykar, ne jemi të përkushtuar për investime të reja, përditësime të reja dhe për ta bërë këtë avion tërheqës përsëri".
"Ne jemi të vendosur të sigurohemi që ai të marrë pjesën e tij të tregut. Duke parë botën në përgjithësi, Piaggio ka prodhuar më shumë se 250 avionë P180 deri më sot, dhe 220 prej tyre kanë fluturuar në mënyrë aktive që nga viti 1986. Pra, është një avion shumë i besueshëm dhe i fuqishëm. I gjithë flota ka grumbulluar mbi 1.1 milion orë fluturimi në total", tha ai.
Bayraktar theksoi se Baykar synon të prezantojë përditësime teknologjike për të ruajtur konkurrueshmërinë e avionit.
"Në këtë kontekst, ne po investojmë shumë në përditësimet e sistemit dhe po modernizojmë avionikën. E gjithë industria po kalon në avionikën Garmin. Ne kemi filluar punën tonë dhe do të zbatojmë përditësimet e avionikës Garmin në sisteme", tha ai.
Bayraktar tha se Piaggio do të rinovojë ambientet e brendshme me karakteristika të përditësuara të dizajnit italian dhe vuri në dukje se avioni tashmë ka presion digjital të kabinës dhe sisteme të reja të kontrollit mjedisor.
"Ne kemi teknologji të reja të komunikimit satelitor në avion. Po punojmë për rritjen e intervaleve të mirëmbajtjes dhe periudhave të inspektimit", theksoi ai.
Bayraktar tha se përmirësimet do të rezultojnë në një version të ri të avionit që do të markohet si modeli "Avanti Next".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
