Franca do të zëvendësojë mjetet e video-konferencave të huaja me platformë kombëtare
Franca planifikon të zëvendësojë Microsoft Teams, Zoom dhe mjete të tjera të huaja të video-konferencave me platformën e saj "Visio" në të gjitha departamentet qeveritare deri në vitin 2027
Bruksel
Franca planifikon të zëvendësojë Microsoft Teams, Zoom dhe mjete të tjera të huaja të video-konferencave me platformën e saj "Visio" në të gjitha departamentet qeveritare deri në vitin 2027, transmeton Anadolu.
Ministri i deleguar i Francës për shërbimin civil dhe reformën shtetërore, David Amiel zbuloi strategjinë, që synon të rrisë sigurinë dhe konfidencialitetin e komunikimeve të sektorit publik, të zvogëlojë varësinë nga infrastruktura jo-evropiane dhe të përmirësojë bashkëpunimin midis ministrive.
Lëvizja premton gjithashtu kursime të konsiderueshme të kostove, me vlerësime deri në 1 milion euro për 100 mijë përdorues që kalojnë nga softueri i licencuar.
"Ky projekt është një ilustrim konkret i angazhimit të kryeministrit dhe Qeverisë për të rifituar pavarësinë tonë dixhitale. Ne nuk mund të rrezikojmë që shkëmbimet tona shkencore, të dhënat tona të ndjeshme dhe inovacionet tona strategjike të ekspozohen ndaj aktorëve jo-evropianë", tha Amiel.
"Sovraniteti dixhital është njëkohësisht imperativ për shërbimet tona publike, mundësi për bizneset tona dhe sigurim kundër kërcënimeve të ardhshme", shtoi ai.
"Visio" i zhvilluar me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike të Francës (ANSSI) dhe i lançuar si program pilot një vit më parë, tashmë ka 40 mijë përdorues të rregullt dhe po vendoset gradualisht në 200 mijë punonjës.
