Turqia, Shkencë dhe Teknologji

Droni i ri turk TB3 fluturoi për 27 orë pa ndërprerje

Bayraktar TB3 mbeti në ajër për 27 orë e 19 minuta pa u ulur, duke mbuluar një distancë totale prej 4.600 kilometrash në qiell

Tolga Yanık  | 29.03.2024 - Përdıtësım : 03.04.2024
Droni i ri turk TB3 fluturoi për 27 orë pa ndërprerje

Istanbul

Prodhuesi turk i dronëve Baykar njoftoi se modeli i ri i mjetit ajror luftarak pa pilot (UCAV), Bayraktar TB3, qëndroi me sukses në ajër për 27 orë, raporton Anadolu.

Bayraktar TB3 mbeti në ajër për 27 orë e 19 minuta pa u ulur, në një lartësi mesatare në fluturimin e tij të 26-të provë në Qendrën e Trajnimit dhe Testimit të Fluturimit Akıncı në provincën veriperëndimore Tekirdağ të Türkiyes.

Gjatë fluturimit të tij 27-orësh, droni mbuloi një distancë totale prej 4.600 kilometrash në qiell, thuhet në deklaratën e kompanisë Baykar.

TB3 është droni më i ri luftarak i kompanisë Baykar, i bërë publik për herë të parë më 27 tetor të vitit të kaluar.

Përveç aftësive të zbulimit, vëzhgimit dhe inteligjencës, TB3 mund të kryejë operacion sulmi me municione inteligjente të montuara në krahë.

Me krahë që palohen, ai mund të përdoret në aeroplanmbajtëse për të rritur më tej gamën e funksionimit.

Gjithashtu, droni mund të përdoret nga distanca shumë të largëta falë aftësive të komunikimit Line-Of-Sight dhe Beyond-Line-Of-Sight.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.