Shkencë dhe Teknologji

COVID-19 shkakton probleme më afatgjata të zemrës tek të rinjtë sesa vaksinat

Hulumtuesit analizuan të dhënat elektronike shëndetësore nga gati 14 milionë fëmijë në Angli nën moshën 18 vjeç midis janarit të vitit 2020 dhe dhjetorit të vitit 2022, duke mbuluar 98 për qind të kësaj popullate

Aysu Biçer  | 05.11.2025 - Përdıtësım : 05.11.2025
COVID-19 shkakton probleme më afatgjata të zemrës tek të rinjtë sesa vaksinat

Londër

Sipas një studimi të kryer së fundmi, fëmijët dhe të rinjtë përballen me një rrezik më të lartë dhe më afatgjatë të komplikimeve të rralla të zemrës dhe inflamatore pas infektimit me COVID-19 sesa pas vaksinimit, transmeton Anadolu.

Studimi në shkallë të gjerë i kryer nga 'The Lancet Child and Adolescent Health', më i madhi i këtij lloji në këtë grupmoshë, u drejtua nga shkencëtarë nga Universitetet e Cambridge-it, Edinburgut dhe Londrës.

Hulumtuesit analizuan të dhënat elektronike shëndetësore nga gati 14 milionë fëmijë në Angli nën moshën 18 vjeç midis janarit të vitit 2020 dhe dhjetorit të vitit 2022, duke mbuluar 98 për qind të kësaj popullate.

Gjatë asaj kohe, 3,9 milionë fëmijë patën diagnozën e parë me COVID-19 dhe 3,4 milionë morën dozën e tyre të parë të vaksinës Pfizer-BioNTech, vaksina kryesore që u jepej 5-18 vjeçarëve gjatë periudhës së studimit.

Studimi zbuloi se teksa këto ndërlikime të zemrës dhe inflamatore ishin të rralla, rreziqet ishin shumë më të larta dhe zgjasnin më shumë pas infeksionit sesa pas vaksinimit.

"Studimi ynë i të gjithë popullsisë gjatë pandemisë tregoi se megjithëse këto gjendje ishin të rralla, fëmijët dhe të rinjtë kishin më shumë gjasa të përjetojnë probleme me zemrën, enët e gjakut ose inflamatore pas një infeksioni me COVID-19 sesa pas vaksinimit dhe rreziqet pas infeksionit zgjatën shumë më gjatë", tha autorja kryesore Dr. Alexia Sampri nga Njësia e Epidemiologjisë Kardiovaskulare në Universitetin e Kembrixhit.

Ekipi shqyrtoi rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata të kushteve si miokarditi dhe perikarditi (inflamacioni i zemrës dhe i indeve përreth), mpiksjet e gjakut, nivelet e ulëta të trombociteve dhe komplikime të tjera inflamatore.

Pas një diagnoze me COVID-19, rreziqet për të pesë këto kushte ishin më të larta gjatë katër javëve të para dhe për disa prej tyre qëndruan të ngritura deri në një vit.

Ndryshe, pas vaksinimit u vu re vetëm një rritje afatshkurtër e miokarditit ose perikarditit gjatë katër javëve të para, pas së cilës rreziku u kthye në nivelin bazë.

Gjatë gjashtë muajve, studiuesit vlerësuan se infeksioni çoi në 2,24 raste shtesë të miokarditit ose perikarditit për çdo 100 mijë fëmijë dhe të rinj, krahasuar me 0,85 raste shtesë për çdo 100 mijë pas vaksinimit.

Bashkautore, profesoresha Angela Wood nga Universiteti i Cambridge-it dhe drejtoreshë e asociuar në 'BHF Data Science Centre', tha se duke përdorur të dhëna elektronike shëndetësore për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë në Angli, kanë arritur të studiojnë komplikime shumë të rralla, por serioze të zemrës dhe mpiksjes së gjakut.

Ajo tha se zbuluan rreziqe më të larta dhe më afatgjata pas infektimit me COVID-19 sesa pas vaksinimit.

"Teksa rreziqet e lidhura me vaksinën pritet të mbeten të rralla dhe të përkohshme, rreziqet e ardhshme pas infeksionit mund të ndryshojnë me shfaqjen e varianteve të reja dhe ndryshimet e imunitetit. Prandaj, monitorimi i të dhënave shëndetësore të të gjithë popullsisë mbetet thelbësor për të udhëhequr vendime të rëndësishme për vaksinimin dhe shëndetin publik", tha Wood.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın