Shkencë dhe Teknologji

BE-ja nis hetim zyrtar mbi sistemet e rekomandimit të Grok dhe X për imazhe të seksualizuara

"Hetimi i ri do të tregojë nëse kompania ka vlerësuar dhe ka zbutuar apo jo siç duhet rreziqet që lidhen me vendosjen e funksionaliteteve të Grok në X në BE", thuhet në deklaratë

Burak Bir  | 26.01.2026 - Përdıtësım : 26.01.2026
BE-ja nis hetim zyrtar mbi sistemet e rekomandimit të Grok dhe X për imazhe të seksualizuara

Londër

Bashkimi Evropian ka nisur hetim mbi chatbot-in e inteligjencës artificiale (AI) të Elon Musk, Grok, dhe sistemet e rekomandimit të X sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA) mbi imazhet e seksualizuara, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë sot, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se ka nisur hetim të ri formal kundër X sipas DSA-së, ndërsa komisioni zgjeroi hetimin e tij të vazhdueshëm të nisur në dhjetor 2023 mbi pajtueshmërinë e X me detyrimet e menaxhimit të riskut të sistemeve të rekomandimit.

"Hetimi i ri do të tregojë nëse kompania ka vlerësuar dhe ka zbutuar apo jo siç duhet rreziqet që lidhen me vendosjen e funksionaliteteve të Grok në X në BE", thuhet në deklaratë.

Kjo përfshin rreziqe që lidhen me përhapjen e përmbajtjes së paligjshme në BE, "siç janë imazhet e manipuluara seksualisht eksplicite, përfshirë përmbajtjen që mund të përbëjë material abuzimi seksual me fëmijë", theksohet më tej.

Deklarata nënvizon se këto rreziqe duket se janë materializuar, duke i ekspozuar qytetarët në BE ndaj dëmeve serioze.

Chatbot-i i inteligjencës artificiale (AI) i X, Grok, është kritikuar pas një trendi në mediat sociale në të cilin përdoruesit e nxisin Grok-un të modifikojë ose gjenerojë imazhe të individëve në portretizime eksplicite pa pëlqimin e tyre.

Lidhur me inteligjencën artificiale Grok të zhvilluar nga xAI, Musk tha më 3 janar se përdoruesit që kërkojnë gjenerimin e përmbajtjes së paligjshme do të trajtohen sikur të kishin ngarkuar vetë materiale të paligjshme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın