Turqia, Shkencë dhe Teknologji

Bayraktar KIZILELMA, avioni luftarak pa pilot i Turqisë tregon forcën me pajisjet kombëtare

Bayraktar KIZILELMA është planifikuar të vendoset në përdorim për forcat e sigurisë vitin e ardhshëm ndërsa po vazhdon intensivisht testimet e tij

Göksel Yıldırım  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Bayraktar KIZILELMA, avioni luftarak pa pilot i Turqisë tregon forcën me pajisjet kombëtare

Ankara

GÖKSEL YILDIRIM

Avioni i parë luftarak pa pilot i Turqisë, Bayraktar KIZILELMA demonstroi forcën e tij në një test performance të kryer me ngarkesa dhe municione të zhvilluara brenda industrisë turke të mbrojtjes, raporton Anadolu.

I zhvilluar në mënyrë kombëtare dhe unike nga Baykar me burimet e veta, Bayraktar KIZILELMA është planifikuar të vendoset në përdorim për forcat e sigurisë vitin e ardhshëm ndërsa po vazhdon intensivisht testimet e tij.

Bayraktar KIZILELMA, testin e tij të fundit të fluturimit e kreu me ngarkesa dhe municione të teknologjisë së lartë të zhvilluara së fundmi brenda industrisë turke të mbrojtjes. Bayraktar KIZILELMA PT-5 ishte i pajisur me raketën ajër-ajër përtej rrezes së shikimit GOKDOGAN, sistemin e shënjestrimit elektro-optik me dukshmëri të ulët TOYGUN dhe radarin MURAD 100-A AESA.

GOKDOGAN, një nga "kthetrat kombëtare" të krahëve të çeliktë të Turqisë në qiell u zhvillua si një "sistem raketash ajër-ajër përtej rrezes së shikimit" i pajisur me manovrim të lartë dhe kundërmasa të përparuara. I pajisur me një motor rakete me lëndë djegëse të ngurtë, një rreze veprimi prej mbi 65 kilometrash dhe një kërkues aktiv radari, GOKDOGAN siguron angazhim efektiv ndaj objektivave me kokën e tij luftarake efektive me presion dhe fragmentim.

I zhvilluar nga TUBITAK SAGE, GOKDOGAN do të jetë një nga forcat më të rëndësishme goditëse të Bayraktar KIZILELMA në luftimet ajër-ajër.


- Identifikim dhe përcaktim i objektivave pa u zbuluar nga radari

Integrimi i sistemit të synimit elektro-optik me dukshmëri të ulët TOYGUN, i zhvilluar nga ASELSAN, në Bayraktar KIZILELMA shquhet si aplikimi i parë në botë i teknologjisë së integruar EOTS në një avion luftarak pa pilot. Fshehja e këtij sistemi brenda trupit të avionit Bayraktar KIZILELMA është kritike për aftësinë e avionit për (dukshmëri të ulët) në radar. TOYGUN EOTS ruan këtë avantazh strategjik të Bayraktar KIZILELMA, duke i mundësuar atij të kryejë synime të avancuara.

Ky sistem i avancuar i synimit elektro-optik, i fshehur brenda trupit të avionit, gjendet vetëm në platformat e gjeneratës së 5-të si F-35 i prodhuar në SHBA në avionët me pilot.

TOYGUN, i zhvilluar me qasje të specializuar inxhinierike për Bayraktar KIZILELMA, përfshin optimizime të projektuara posaçërisht për konceptin e luftimit pa pilot. Sistemi krenohet me aftësi skanimi me spektër të gjerë që kontribuojnë në ndërgjegjësimin e misionit 360 gradë. Me imazhe infra të kuqe me rezolucion të lartë, sistemi mund të zbulojë objektiva strategjikë dhe elementë tokësorë/detarë në lëvizje në distancë të gjatë.

Në të njëjtën kohë ai përmirëson aftësitë autonome të Bayraktar KIZILELMA me gjurmimin e objektivave të asistuar nga inteligjenca artificiale dhe algoritme automatike të klasifikimit të objektivave.

Falë kësaj aftësie, Bayraktar KIZILELMA do të jetë në gjendje të depërtojë në thellësitë e armikut pa humbur avantazhin e tij të dukshmërisë së ulët. Do të jetë në gjendje të zbulojë objektivin e tij pa u zbuluar nga radari, ta caktojë atë me lazer dhe të shkatërrojë objektivat duke përdorur municione të prodhuara në vend (municione kombëtare).


- Do të gjurmojë me saktësi objektiva të shumëfishta njëkohësisht

MURAD 100-A i zhvilluar nga ASELSAN shërben si radar shumëfunksional i kontrollit të zjarrit, i teknologjisë së fundit, me aftësi të shkathëta të drejtimit elektronik të rrezes falë arkitekturës së tij AESA (Active Electronically Scanned Array). Sistemi mund të menaxhojë njëkohësisht angazhimet ajër-ajër dhe ajër-tokë ndërsa aftësia e tij e drejtimit të raketave BVR (Beyond Visual Range) krijon ndikim të jashtëzakonshëm në luftimet moderne ajrore.

Radari MURAD 100-A ofron performancë superiore të zbulimit dhe gjurmimit me brezin e tij të gjerë të frekuencave dhe aftësinë e drejtimit elektronik të rrezes si në azimut ashtu edhe në lartësi. Radari i cili ofron efikasitet të lartë me teknologjinë e amplifikatorit të fuqisë GaN (Gallium Nitride), mund të gjurmojë me saktësi objektiva të shumëfishta njëkohësisht me aftësinë e tij dixhitale të formimit të rrezes (digital beam forming).

Falë veçorisë së tij të rënies graduale të performancës (graceful degradation), sistemi mund ta vazhdojë misionin e tij me besueshmëri të lartë edhe në rast të defekteve të mundshme. Falë këtyre teknologjive të përparuara, MURAD 100-A rrit aftësinë e bashkimit të sensorëve të KIZILELMA-s, duke e çuar ndërgjegjësimin e situatës së platformës në nivelin më të lartë si në misionet ajër-ajër ashtu edhe në ato ajër-tokë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.