Shkencë dhe Teknologji

Rrjeti i dezinformimit i lidhur me Kinën, si "biologu zviceran" përhapte gënjeshtra për COVID-19

Hetimi zbardhi se u zbuluan lidhje midis profileve të rreme dhe punonjësve të një kompanie teknologjike në qytetin kinez Qingdu dhe disa kompanive kineze të infrastrukturës që operojnë jashtë vendit

Emre Aytekin  | 02.12.2021 - Përdıtësım : 02.12.2021
Rrjeti i dezinformimit i lidhur me Kinën, si "biologu zviceran" përhapte gënjeshtra për COVID-19

Pekin

Rrjeti social Facebook pretendon se persona dhe institucione të lidhura me Kinën kanë krijuar një rrjet të dezinformatave me profile të rreme në këtë platformë, të cilat përdoren me qëllim të keqinformimit lidhur me epideminë e COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga kompania ombrellë e Facebook-ut, Meta, thuhet se si përmes profileve të rreme, përfshirë edhe profilin e "shkencëtarit zviceran" të imagjinuar, në rrjet u përhap pretendimi se "SHBA-ja bën presion ndaj shkencëtarëve që të nisin hetime për origjinën e llojit të ri të koronavirusit (COVID-19)".

Megjithëse kompania u përmbajt nga pretendimet se rrjeti është i lidhur me qeverinë kineze, thuhet se disa punonjës në kompanitë shtetërore kineze dhe mediat shtetërore po punojnë për përhapjen e akuzave të pabaza.

Hetimi zbardhi se u zbuluan lidhje midis profileve të rreme dhe punonjësve të një kompanie teknologjike në qytetin kinez Qingdu dhe disa kompanive kineze të infrastrukturës që operojnë jashtë vendit.

Në deklaratë thuhet se puna e rrjetit filloi në korrik me krijimin e një profili të rremë të quajtur "Wilson Edwards", i cili u prezantua si "biolog zviceran". Nga profili në fjalë u përhapën pretendime se "zyrtarët amerikanë po ushtrojnë presion të madh ndaj shkencëtarëve, madje edhe kërcënime, për të mbështetur hetimet e reja për origjinën e virusit".

Ato u cituan nga mediat shtetërore

Disa orë pasi u shpërnda, mesazhi filloi të merrte pëlqime, citate dhe komente nga qindra profile të tjera të rreme. Po atë javë, media shtetërore kineze citoi mesazhin në lajmet e tyre sikur të ishte shpërndarë nga një shkencëtar i vërtetë.

Gazeta shtetërore "China Daily" në një artikull të saj ndau deklaratat e "biologut zviceran" i cili në profilin e tij në Facebook shkroi: "Si biolog, jam i shokuar se sa është politizuar kërkimi mbi origjinën e COVID-19".

Për Wilson Edwards, i cili u portretizua si një "biolog evropian" në "Shine", portal i gazetës "Shanghai Daily" të kontrolluar nga Partia Komuniste, thuhet gjithashtu të ketë thënë:

“Jam i shqetësuar se Komiteti Këshillimor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për origjinën e patogjenit do të përdoret si një 'mjet politik'. SHBA-ja është aq e fiksuar me sulme ndaj Kinës për hetimet mbi origjinën, saqë ngurrojnë të hapin sytë ndaj të dhënave dhe gjetjeve aktuale”.

Ben Nimmo, i cili drejtoi hetimin në emër të kompanisë Meta tha se në këtë mënyrë bëhej dezinformim kundër SHBA-së dhe se sistemi i sallës virtuale të pasqyrave riprodhonte pafundësisht informacione të rreme.

Rrjeti i dezinformimit u zbulua për herë të parë më 11 gusht kur autoritetet zvicerane njoftuan se një shkencëtar i quajtur "Wilson Edwards" nuk jetonte në vend.

"Gjatë ditëve të fundit, kemi kërkuar për Wilson Edwards, biologun e supozuar i cili citohet në shtypin kinez dhe mediat sociale. Nëse jeni gjallë, duam t'ju takojmë. Duket më shumë gjasa të jetë lajm i rremë. I bëjmë thirrje shtypit kinez dhe përdoruesve të internetit të heqin lajmet dhe postimet që lidhen me këtë person”, ishte mesazhi i publikuar nga ambasada zvicerane në Pekin.

Ata deklaruan se nuk ka të dhëna për shtetësinë e Wilson Edwards në Zvicër dhe se nuk ka asnjë studim akademik të botuar me këtë emër. Pas paralajmërimit të ambasadës, referencat e përmendura në lajmet e organeve mediatike janë hequr.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın