Turqia prezanton raketën e saj të parë hipersonike në panairin e mbrojtjes IDEF 2025
- Raketa "Tayfun Block-4" është midis gjashtë sistemeve të reja të prezantuara nga Roketsan, duke përfshirë raketa ajër-ajër, municione të lëvizshme dhe një mjet lançimi hapësinor.

Istanbul
STAMBOLL (AA) – Sot Turqia zbuloi raketën e saj të parë hipersonike, “Tayfun Block-4”, ndërsa gjigandi i mbrojtjes Roketsan prezantoi gjashtë sisteme të reja të përparuara në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes IDEF 2025 në Stamboll, raporton Anadolu.
Raketa balistike “Tayfun Block-4” është versioni hipersonik i raketës “Tayfun”, raketa balistike me rrezen më të gjatë veprimi e prodhuar në Turqi me mjete vendase.
“‘Tayfun Block-4’ arrin rreze të gjata veprimi, duke vendosur një tjetër rekord për industrinë turke të mbrojtjes. Me një peshë mbi 7 tonë, ky version i ri i ‘Tayfunit’, me kokën e tij shumëfunksionale, do të jetë i aftë të shkatërrojë objektiva të shumta strategjike, të tilla si sistemet e mbrojtjes ajrore, qendrat e komandës dhe kontrollit, hangarë ushtarakë dhe objekte kritike ushtarake, nga kilometra larg”, tha Roketsan në një deklaratë.
Raketa “Atmaca” me kapsulën “Akata” është versioni i lëshuar nga nëndetësja i raketës antianije “Atmaca” që aktualisht është në inventarin e Forcave të Armatosura Turke, e cila ka një rreze veprimi prej 250 kilometrash.
“E pajisur me teknologji të përparuar, ‘Akata’ do të forcojë mbrojtjen e ‘Atdheut Blu’ me një rreze veprimi që tejkalon 250 kilometra dhe një kokë luftarake me fragmentim të lartë shpërthyes”, thuhet në deklaratë.
Raketa ajër-ajër “Gokbora” përtej rrezes vizuale, ka një rreze veprimi që tejkalon 100 milje detare (115 milje) dhe do të përdoret kundër objektivave të armikut në platformat e avionëve luftarakë me dhe pa pilot.
Ndërkaq, municioni shumëfunksional me shpejtësi të lartë, “Eren”, mund të përdoret kundër njësive ajrore me shpejtësi të ulët, objektivave tokësore të blinduara dhe të pablinduara, dhe kundër personelit duke u lëshuar nga dronë të armatosur, helikopterë, automjete tokësore, sisteme tokësore dhe platforma detare. Ai do të përmbushë një nevojë të rëndësishme në terren me aftësinë e tij superiore të udhëzimit, qëndrueshmërinë e gjatë dhe rrezen e veprimit prej më shumë se 100 kilometrash, tha Roketsan.
Sistemi i raketave balistike të lëshuara nga ajri, “300 Er”, mund të integrohet në platforma avionësh dhe dronësh të armatosur me një rreze veprimi prej më shumë se 500 kilometrash, varësisht nga lartësia dhe shpejtësia e lëshimit, dhe mund të godasë shpejt objektivat strategjikë pa hyrë platforma e lëshimit në zonën e kërcënimit të elementëve të mbrojtjes ajrore të armikut.
Automjeti i lançimit satelitor-hapësinor, “Simsek-2”, ka aftësinë të vendosë satelitë me peshë 1.500 kilogramë në orbitë sinkrone me diellin në një lartësi prej mbi 700 kilometrash.
Roketsan tha se planifikon të kryejë provën e parë të automjetit të lançimit të satelitit “Simsek-1” në vitin 2027.
Shefi ekzekutiv i gjigantit të mbrojtjes, Murat Ikinci, ka thënë: “Sot, kompania jonë, një markë globale në teknologjitë e raketave, predhave dhe municioneve, vazhdon të jetë pioniere në teknologjitë e reja me studimet e saj të kërkim-zhvillimit, të jetë forca goditëse dhe parandaluese e Forcave të Armatosura Turke me sistemet e mbrojtjes që zhvillon dhe t’i ofrojë forcë strategjike dhe ekonomike vendit tonë me eksportet e saj në shumë rajone të botës, nga Amerika në Evropë, nga Azia në Lindjen e Mesme”.
“Në IDEF, ne morëm pjesë me mbi 60 sisteme mbrojtëse që kanë provuar suksesin e tyre në këtë fushë, dallohen nga konkurrentët e tyre në aspektin e performancës dhe janë në inventarin e shumë ushtrive moderne, veçanërisht Forcave të Armatosura Turke. Ne gjithashtu po lançojmë gjashtë produkte të reja në IDEF, duke demonstruar edhe një herë progresin tonë në teknologjinë e mbrojtjes”, ka shtuar ai.
Panairi gjashtëditor i mbrojtjes IDEF, që filloi sot, po mbahet njëkohësisht në Qendrën e Panaireve të Stambollit, Aeroportin Ataturk, Hotelin WOW dhe Marinën Atakoy.
Eventi, i organizuar nga “KFA Fairs” me mbështetjen e Sekretariatit të Industrive të Mbrojtjes (SSB) të Turqisë dhe Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke, ka Anadolun si partnerin e tij global të komunikimit.
Edicioni i 17-të do të presë ministra, shefa të shtabeve, komandantë dhe përfaqësues të lartë nga 103 vende, me 44 vende që kanë hapur stenda.
Eventi pret më shumë se 900 firma vendase dhe 400 të huaja të mbrojtjes.